Jo veç qytetarëve: Shqipëria në ndihmë u del edhe bizneseve pas krizës së rrymës

Pas familjarëve dhe biznesit të mesëm e të vogël, qeveria ka vendosur të mbrojë nga kriza energjetike edhe biznesin që furnizohet në brezin e mesëm.

Janë gjithsej 7440 biznese, përfshirë edhe ujësjellësit që do të përfitojnë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se qeveria ka vendosur të mbrojë bizneset e tensionit të mesëm, ku më shumë se 70% janë biznese private dhe pjesa tjetër kryesisht ujësjellës.

Deri në fillim të muajit qershor qeveria ka vendosur të mbrojë brezin e tensionit të mesëm, siç do të veprohet me brezin e tensionit të ulët dhe biznesin e vogël”, deklaroi ministrja Balluku gjatë një takimi me përfaqësues të shoqatave dhe biznesit.

Balluku tha se kjo masë nuk ndihmon liberalizimin e tregut por mbron biznesin shqiptar dhe atë të huaj.

“Padyshim mbron dhe konsumatorin që është synimi unë kryesor në këtë moment. Kur sot përballet shteti për blerjen dhe importin me çmime të papërceptueshme, në kushtet kur ne çdo ditë habitemi me nivelin e çmimeve të blerjes së energjisë, kemi marrë një vendim që shkon në limitet e sakrificës sa i përket buxhetit dhe kompanive operuese, që të mbrojmë edhe tensionin e mesëm me një afat të caktuar deri në fillim të muajit qershor”, deklaroi ministrja Balluku.

Balluku bëri të ditur se sinjalet nga Sekretariati i Energjisë janë që rreth muajit mars të ketë ulje të ndjeshme të çmimit, ndërsa pritet që situata të konsolidohet në muajin qershor.

“Në fillim të muajit qershor do të ulemi në një diskutim të gjerë për të parë, por edhe duke u ofruar instrumente zgjidhjeje përmes OSHEE, duke ju dhënë një mundësinë që të keni lidhjen me OSHEE-në për të marrë një çmim preferencial në treg”, tha ajo.

Konkretisht, tha ajo, në muajin qershor do të studiohen mundësitë nëse do të vijohet të ndihmohet biznesi në brezin e mesëm, apo biznesi do të dalë në treg të lirë duke përmbushur kështu kërkesat nga Komisioni Europian.

“Kjo në varësi të çmimeve në treg, duke parë edhe mundësinë e një tranzicioni të butë në tregun e lirë duke u lidhur me OSSH duke mos ofruar më çmimin prej 12.4 lekë për kilovat, por do t’u ofrojë një çmim preferencial shumë më të mirë se ai i tregut”, tha Balluku.

Go to TOP