Frika se Rusia mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor, flet Cooper nga Pentagoni

Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Eurazinë Laura Cooper tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë në një emërues të përbashkët në mbështetjen e Ballkanit Perëndimor përballë përpjekjeve të Rusisë për destabilizim.

Mes praktikave që ajo mendon se Rusia mund të përdorë të destabilizojë Ballkanin, janë ndërhyrja kibernetike, përfshirë manipulimin e hapësirës së informacionit, shenja të së cilave sipas saj vazhdojnë të shihen. Ajo gjithashtu shton se Moska mund të përdorë si mjet korrupsionin, që ka efekt veçanërisht gërryes në rajon, si edhe shitjet e armëve.

“Rusia ka një sërë taktikash që mund t’i përdorë përsëri, dhe ne e kemi parë këtë përsëri. Për t’iu rikthyer përdorimit të strategjive të caktuara, duke përfshirë ndërhyrjen kibernetike, dhe së fundmi kemi parë shembuj të kësaj, pastaj manipulimi i hapësirës informative që është ende prezente. Ato mund të instrumentalizojnë korrupsionin, i cili ka një efekt veçanërisht gërryes në rajon. Dhe sigurisht ata mund të përdorin shitjen e armëve, burimet ushtarake si një mjet ndikimi. Fakti që pajisjet ushtarake nuk po u japin atyre rezultate kaq të mira në Ukrainë mund ta bëjë këtë mjet të fundit më pak të fuqishëm, por ata me siguri mund të përdorin ndonjë nga taktikat e mësipërme” tha Cooper.

 Zyrtarja e lartë tha se Uashingtoni gjithmonë i kushton vëmendje Ballkanit Perëndimor dhe është i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të aleancës me Ballkanin dhe ruajtjen e partneriteteve të forta në të gjithë rajonin.

“Pa dyshim ka një histori të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në rajon duke u përpjekur të nxisë tensione. Dhe mendoj se ne po shohim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Jam vërtet e kënaqur jo vetëm nga niveli i vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, por edhe se mendoj se edhe partnerët tanë të BE-së janë investuar shumë në sigurimin e stabilitetit”, tha ajo.

Go to TOP