Euro-deputeti kroat: Nuk besoj se në Bosnje do të ketë përkeqësim të situatës

Euro-deputeti kroat, Karlo Ressler, ka folur në lidhje me shtimin e forcave të Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnje dhe Hercegovinë, me ç’rast deklaroi se nuk beson se mund të ketë ndonjë përkeqësim të situatës në këtë vend, kanë raportuar mediat boshnjake.

“Nuk shoh ndonjë rrezik të menjëhershëm ndaj paqes dhe stabilitetit në BeH, por është e qartë se agresioni i Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar sigurinë dhe stabilitetin. Evropa tani ëshë futur në një epokë të re të historisë së saj dhe është e rëndësishme që të parandalohen destabilizimi në cilëndo pjesë të Evropës”, ka thënë Ressler.

I pyetur rreth mundësisë së vendosjes së sanksioneve ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, ai tha se nuk beson që kjo do të jetë temë, por tha se “përcaktimi civil i Republika Serbe në Bosnje do të ishte gjë e mirëseardhur”.

Forcat e Bashkimit Evropian kanë shtuar praninë e tyre ushtarake në BeH pas pushtimit rus të Ukrainës, gjë që ka ngritur shqetësime në qarqet evropiane për mundësinë e bartjes së konfliktit në Bosnje.

Milorad Dodik është një prej mbështetësve më të zëshëm të Presidentit Vladimir Putin dhe Rusisë dhe ekzistojnë shqetësime të mëdha se ai mbështetet nga Rusia për shkëputjen e mundshme të Republikës Serbe nga Bosnja.

Go to TOP