Diskutohen planet për menaxhimin e mbeturinave në disa komuna
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës e Ferizajt ka mbajtur sot një konsultim publik lidhur me Draft-Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM) dhe planet ndërkomunale të menaxhimit të mbeturinave, të cilat përfshijnë komunat: Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë, Partesh, Kllokot, Ranillug, Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Hani i Elezit dhe Shtërpcë.
Në hapje të takimit, drejtori i Shërbimeve Publike, Alberton Sahiti, theksoi rëndësinë e këtij dokumenti, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të praktikave të menaxhimit mjedisor.
Ai potencoi se qëllimi kryesor i planit është sigurimi i praktikave më të mira për menaxhimin e fraksioneve të ndryshme të mbeturinave në rajon, përfshirë masat për parandalimin dhe minimizimin e gjenerimit të tyre.
“Ky studim para fizibiliteti, në thelb, ofron një plan të qartë veprimi për zbatimin e një sistemi të integruar ndërkomunal për menaxhimin e mbeturinave,” tha Sahiti.
“Pjesëmarrësit në konsultim shprehën mbështetje për planin, duke dhënë njëkohësisht edhe propozime dhe komente për përmirësimin e mëtejshëm të tij. Dokumenti është i hapur për konsultim publik deri më 23 qershor 2025, dhe ftohen të gjitha palët e interesuara të japin kontributin e tyre përmes komenteve dhe sugjerimeve”, njofton Komuna e Ferizajt. /Kosova.info/
