Dhoma Amerikane e Tregtisë, për dënimin me burg të Saimir Tahirit: Drejtësia në Shqipëri nisi të zgjohet

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka komentuar dënimin me burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në një deklaratë, Enio Jaço shkruan se ky vendim ka ndezur sinjalin e parë se drejtësia në Shqipëri po nis të zgjohet.

Megjithatë, ai thotë se vendimi për ish-ministrin, nuk do të thotë se drejtësia në Shqipëri sot është perfekte.

Sipas Jaços, ku mund të jetë një fillim i gjatë në kohë.

Reagimi i plotë i Kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaco:

Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka ndezur disi sinjalin e parë se Drejtësia në Shqipëri po nis të zgjohet.

Pavarësisht masës së dënimit që kërkon guxim dhe “stomak të fortë” ligjor e profesional, fakti se zyrtarë apo ish-zyrtarë në nivelet më të larta të qeverisë mund të ndëshkohen po çrrënjos kulturën primitive, që përbën thelbin e problemeve në Shqipëri. Një fenomen i ngritur me shqetësim nga Dhoma Amerikane për padrejtësitë që prej vitesh vuajnë bizneset e ndershme në dyert e gjykatave, e që gjithashtu mban larg investitorët e huaj.

Por vendimi për ish ministrin, s’do të thotë se Drejtësia sot është “perfekte”. Njerëzit kanë të drejtë të jenë skeptikë, sepse Shqipëria në historinë e saj nuk e ka njohur pothuajse kurrë Shtetin Ligjor, ka vuajtur nga një “Drejtësi e Përçudnuar” nën regjimin komunist, e më pas ka vajtuar një Kapje të saj pas viteve ’90.

Ky mund të jetë një fillim i gjatë në kohë, megjithatë sado i vakët të jetë ka bërë që sot disa njerëz të ndershëm të ndihen pak më mirë, disa të heshtin dhe të presin më tej dhe disa të pandershëm por të fuqishëm të ndihen në siklet, e ndoshta dhe në panik! Por që drejtësia të nisë të gëzojë Besueshmërinë e njerëzve do duhet kohë, dhe më shumë vepra reale të tilla, që të nisë të japë efektet e saj. /TCh/

Go to TOP