Çfarë po ndodh me programin “Sporti në Shkolla”?
Programi “Sporti në Shkolla”, i cili ka nisur si projekt pilot vitin e kaluar, po sjell risi dhe masovizim të aktiviteteve sportive në shkollat e Kosovës.
Pasi kishte nisur me dy sporte, basketboll dhe shah, këtë vit, siç bënë të ditur kryetari i Federatës së Sporteve Shkolle, Adrian Telaku, në një intervistë për KosovaPress, tashmë janë shtuar edhe tri sporte të tjera.
Sipas Telakut, shtrirja dhe mbarëvajtja e programit nëpër shkollat e Kosovës është duke shkuar ashtu siç ishte planifikuar.
Telaku: Programi ‘Sporti në shkolla’ solli risi në aktivitetin sportiv
“Sa i përket programit të sportit në shkolla, fillimisht duhet t’ju tregoj që vitin e kaluar ka përfundua faza e parë e pilotimit të projektit, ka filluar nga muaji janar, ndërsa ka përfunduar muajin qershor. Sigurisht që brenda pritshmërive ka qenë, është vlerësuar pozitivisht edhe nga administrata, po edhe nga terreni. Ka qenë shumë e nevojshme me pas një aktivitet natyrës pak më ndryshe, që ju jep nxënësve mundësinë për të bërë aktivitete sportive dhe fizike në përgjithësi, por jashtë orarit të mësimit, duke pasur parasysh që zero kosto ka pasur ose obligime familjare, në këtë rast konkretisht prindërit nuk kanë qenë të obligues që me bartë pasojën e shpenzimeve”, theksoi fillimisht Telaku.
Tutje Telaku zbulon sportet që janë shtuar në këtë program dhe që praktikohen në shkollat e vendit.
Telaku: Këtë vit programi po vazhdon me pesë sporte
“Për dallim nga viti i kaluar, në këtë vit e kemi vazhduar me pesë sporte. Vitin e kaluar e kemi pasur 3×3 basketbollin edhe shahun ndërsa këtë vit i kemi këto dy të njëjtat sporte, por me masovitet më të madh, do të thotë basketbolli është me njëzet e një shkolla, sa ka qenë katërmbëdhjetë, njëjtë edhe shahu është më njëzet e një. Kemi vazhduar me volejbollin me katërmbëdhjetë shkolla, me hendbollin me katërmbëdhjetë shkolla dhe me atletikën me shtatë shkolla. Sigurisht që të gjitha këto janë të shpërndara nëpër të gjitha regjionet e Kosovës, duke përfshijë komponentën e viseve urbane dhe rurale. Tek kjo komponentë ka qenë pak më problematike këtë vit për arsye se ka na u ka kushtëzuar përzgjedhja për arsye se ka shkolla që nuk e nuk e kanë infrastrukturën nëpër pjesët rurale më shumë frekuentohen këto pjesë që janë urbane”, bëri të ditur Telaku.
Telaku tregon se është arritur një marrëveshje me Fakultetin e Edukimit Fizik për të angazhuar studentë të avancuar si ndihmës në mungesë të mësuesve të mjaftueshëm, duke i njohur këto angazhime edhe si pjesë të praktikës së tyre.
Telaku: Për rekrutim të stafit po bashkëpunojmë me Fakultetin e Edukimit Fizik
“Te stafi sa kemi arritur ne të rekrutojmë staf të ri, e kemi bërë një marrëveshje me Fakultetin e Edukatës Fizike që studentët të cilët janë të nivelit mbi mesatare ose të nivelit master nëse ka nevojë ose nuk ka arsimtarë të mjaftueshëm brenda shkollës, për shembull e kemi një shkollë që e ka një arsimtar të edukatës fizike, i plotëson kushtet e fiton programin, po ka numër shumë të madh në nxënësve, atëherë kemi ardhur me një përfundim që do të ishte mirë, për shembull, një student që e ka të kryer fakultetin ose gjëra tjera që ta angazhojmë në kuadër të projektit. Pjesa tjetër që është shumë e mirë në këtë aspekt është që me Fakultetin e Edukatës Fizike kemi arritur me një konsensus të përbashkët që këta studentë, të cilët janë pjesë e programit, të diskutojë fakulteti që t’ia marrë këto si bazë për pjesën praktike ose metodike dhe për t’ia pranuar që të jetë si pjesë e programit”, bëri të ditur Telaku.
Sa i përket vazhdimësisë së aplikimit të programit, Telaku paralajmëron se pa një stabilitet politik, buxheti i programit mund të rrezikohet në vitet e ardhshme, ndonëse fondet për vitin 2025 janë të garantuara përmes marrëveshjeve ekzistuese.
Telaku: Situata jo stabile politike mund ta rrezikojë buxhetin e këtij programi
“Në këtë rast, sa i përket vitit dy mijë e njëzet e pesë nuk është problematikë se nuk e prek, për arsye se alokimi i buxheteve është bërë më herët në saje të memorandumi që e kem pasur për programin ‘Drejt malit’ dhe për programin ’Sporti në shkolla’ që në këtë rast është një fat, mundem me thënë një fat, nëse mund ta quaj fat në fatkeqësi, për arsye se nuk i dihet situatës, gjendja politike që është fatmirësisht për momentin nuk e prek, por nëse për vitin tjetër dy mijë e njëzet e gjashtë dymijë e njëzet e shtatë ose vitet të cilat janë të planifikuara deri në dymijë e tridhjetën sipas strategjisë së sportit, nëse nuk bahet një zgjidhje e shpejtë politike, me siguri që do të ndikojë edhe në këtë aspekt”, theksoi më tutje Telaku.
Telaku ka thënë në fund se pengesa tjetër në mbarëvajtjen e këtij programi mbetet infrastruktura. Sipas tij, vetëm 10 përqind e sallave sportive nëpër shkolla i plotësojnë kushtet elementare për aktivitete sportiv.
