“Amanet fëmijët”- Kujtimet e ish-deputetit: Dëgjova gardianët kur e morën me forcë në mesnatë për ta pushkatuar dhe me zërin e dridhur…

Nga Leka Toto

Leka Toto lindi në Tiranë më 14 shkurt 1934. Mbasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin e Tiranës, ai mundi të fillonte studimet në Fakultetin Juridike të Universitetit Shtetëror të Tiranës, por në vitin 1956, arrestohet dhe dënohet me 15 vjet heqje lirie, duke u akuzuar për tentativë arratisje. U lirua nga burgu në vitin 1964 (ku të dënuarit punonin për ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit në Laç), por kalvari i vuajtjeve të Leka Totos, që është njëkohësisht dhe djali i Ismet Totos, publicistit dhe politikanit të njohur të periudhës së Monarkisë së Zogut (dhe nipi i Et’hem dhe Selaudin Totos, që u pushkatua me Grupin e Deputetëve në vitin 1947), nuk do të mbarojë këtu: ai punon si punëtor krahu fillimisht në bujqësi dhe më pas si hekurkthyes në ndërmarrjet e ndërtimit, gjithmonë nën presionin e luftës së klasave, si “njeri i deklasuar”.

Në dhjetorin e vitit 1990, ai angazhohet me lëvizjen dhe proceset demokratike dhe nisur nga kjo, në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, zgjidhet deputet i Partisë Demokratike për zonën Delvinës e Sarandës. Më pas për disa vjet shërbeu si funksionar (dega e organizimit) në Partinë Demokratike, ku ishte dhe anëtar i kryesisë. Leka Toto u nda nga jeta në vitin 2001, pas një sëmundje të rëndë. Duke pasur një bagazh të gjerë kulturor, që në rininë e tij Leka Tota ishte marrë me shkrime të ndryshme, kryesisht të karakterit letrar dhe filozofisë, por pa tentuar kurrë që të botojë, për efekt të biografisë familjare. Këtë gjë mundi ta realizonte vetëm pas viteve ’90-të, ku ai lëvroi zhanret e prozës, publicistikës, dramës dhe përkthimit, duke arritur të botojë disa vepra, ndër të cilat mund të përmendim: “Sakipi”, “Vetkryqëzimi”, “Shën e Premtja” dhe “Po lexoj veten”.

        FRAGMENT NGA LIBRI AUTOBIOGRAFIK “PO LEXOJ VETEN”

Qelia ishte më e gjerë se nën shkalla, shumë më e lartë dhe për fat të mirë e shtruar me dërrasa. Në tavan ndodhej një dritare e vogël katrore e kryqëzuar prej nga mund ta shikoje qiellin në katërdhet copa, siç thotë Migjeni në vargun e tij. Në mes të saj qëndronte e varur një llambë elektrike e zbehtë që digjej nat’ e ditë.

U ula pranë murit ngjitur me portën, mbështeta fort kurrizin dhe mblodha këmbët duke i pështjellë me të dyja duart. Nuk mund të mblidhesha më shumë. Më dukej se dhe mendimet në kokë ishin grumbulluar aq ngjeshur sa kishin humbur formën e tyre. Nuk mund të shqiteshin nga njëri-tjetri. Llokoçiteshin në një turbullirë viskoze ndërsa lëvizjet e tyre të çrregullta më shkaktonin dhembje.

Nuk kaloi shumë, kohë, aq sa truri si gjithmonë në raste të tilla e ndjen të nevojshme për të mbrojtur veten: m’u fanitën befas tufat e pishave. Që i vogël kam besuar se dikush mbi mua, fati o perëndia, në çaste të vështira, i ndërgjegjshëm ose jo për ta, me anë shenjash të lexueshme më kanë zbuluar të ardhmen.

Nuk më harrojnë. Nuk e di si ka lindur tek unë një besim i tillë, por pa dyshim në ngjizjen e tij kanë ndikuar rrëfimet e gjyshes dhe jeta e trazuar në pamundësi për të vendosur i pavarur, gjithmonë në duart e të tjerëve.

Pisha fliste shumë qartë. Një zjarr do të ndizej dhe ai që do të digjej vetëkuptohej isha unë. Imagjinata e ngacmuar e nisi fluturimin e saj pa një orientim të caktuar, por ndalesat e saj nuk ishin të paarsyeshme. Njerëz mbi turra me dru të flakë dhe inkuizitorë hijerëndë para tyre të vetëkënaqur që po i shërbenin me devotshmëri perëndisë.

I përhumbur mërmërisja me vete bri secilit prej tyre: “Dhe ky për një fjalë po digjet”. Mbasi bëra një rrotullim të gjerë nën qiellin që rëndonte si qivur i përmbysur, u ndala pranë një burri të zbehtë me një mjekër të rrallë, që, ulur në një poltron, po lexonte një poemë. Ishte Dostojevski i një portreti të njohur. Kumbonin fjalët e tij “dhe Krishtin do ta kishin djegur”.

Në trutë e mi u ngul si një gozhdë pyetja: “I djegin apo duan të digjen vetë?”. Kanë kaluar dyzet vjet e nuk kam mundur t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje që besoj do të shuhet së bashku me mua. Sido të jetë, një gjë është e qartë, në këtë botë ka njerëz që digjen dhe njerëz që ngrohen në zjarrin e tyre. Me sa dukej, unë isha një anëtar i dyshimtë në grupin e parë, ndoshta rastësia më kishte hedhur aty.

Këtë ende s’jam në gjendje të ndaj, por me siguri mund të them se nuk kisha asnjë dëshirë të digjesha. Meqë para shitësit ndodheshin ca tufa pishe, mendja ime arriti në përfundimin se fati donte që unë të digjesha jo i tëri menjëherë, por brenda disa viteve. Dhe ashtu ndodhi në të vërtetë. Ne të burgosurit u shkrumbëzuam në një zjarr të mbytur tërë tym, pa shpërthyer në flakë, pa bërë dritë.

Dera e rëndë u hap me forcë. Sipas rregullit, gardiani më vuri prangat dhe të dy e përshkuam korridorin e gjatë pa thënë asnjë fjalë. Hymë në një dhomë të madhe përballë. Mbas një skrivanie ishte ulur një oficer, mbi të, afër tavanit, ndodhej një dritare e gjerë me hekura të kryqëzuara. Në mes të dhomës një karrige e betonuar, e palëvizshme, mbi të cilën më urdhëruan të ulesha. Menjëherë pas meje hynë disa oficerë, duhet të ishin gjashtë a shtatë, më rrethuan dhe filluan të më pyesin pa respektuar asnjë lloj radhe.

Ç’kërmiteshin, qeshnin, talleshin, më shtynin, me goditnin, por për fat të mirë jo fort… “Ç’ke bërë kundër pushtetit? Ku doje të shkoje? Revolucioni hungarez…”?! I përsëritën disa herë këto pyetje si një rreth djajsh, kur papritur një kolonel trupmadh me fytyrë përbindëshi uli kokën e m’u afrua: “Po bandillin Fatmir, e njeh? Ai i ka thënë të gjitha. Të gjithë të tjerët heshtën”. ‘E njoh, por ai s’ka ç’të thotë për mua’, thashë me zë të dridhur.

Koloneli drejtoi trupin dhe bërtiti: “S’ka ç’të thotë për ty, eee?!”, duke më goditur aq fort me pëllëmbën në fytyrë, sa rashë për tokë me gojën plot gjak. Mbasi më shkelmoi dhe një herë në brinjë me majën e çizmes, m’u drejtua “Kaq për sot, nëse nesër do të vish me këto mend, do të të mbys. Largohu”. Më ndihmoi të ngrihem një oficer i ri dhe për krahu më nxori nga dhoma. Aty më priste gardiani që më ktheu në birucë pa më thënë asnjë fjalë.

U mbështeta pas murit. Isha krejt i trullosur. Faqja më digjej flakë, më rrihte e më rëndonte, syri gati i mbyllur. Gjakun që më mbushte gojën e gëlltisja poshtë, nga frika se po të pështyja gardiani do më rrihte se bëra pis birucën. I dërrmuar, i poshtëruar, i pazoti për gjithçka, shpërtheva në një ngashërim pa zë si fëmijë. Disi u çlirova, ndërsa mendimi se kjo do të përsëritej nesër, pasnesër e kush e di ku do të ishte fundi i saj, brenda meje vuri në lëvizje idenë e vetëvrasjes. Kurrë ndonjëherë më parë në jetën time s’isha ndalur pranë saj.

Nuk e di pse m’u fanit në trajtën e një sfinksi jo më prej guri të gërryer nga rrebeshet e motit, por si një statujë e derdhur në një përzierje metalesh shumëngjyrëshe. Vetëtinte nën rrezet e diellit të zjarrtë. Më nguliti dy sytë e tij të bardhë. U drodha i tëri. Në bardhësinë e tyre përpiqesha më kot të lexoja diçka. Me siguri në ta vallëzonte enigma që s’mund të mendohet. Gjaku më rrihte në kokë me rrëmbim e ndjeja se po më shtynte në kujtime vetëm të dëgjuara prej meje nga të parët e mi.

…Vetëvrasja pa dyshim është një konflikt i fortë emotiv, ku të gjitha ndjenjat asgjësojnë njëra-tjetrën me dhimbje e mizorisht. Në ato çaste ndodhesh në mes një shkretëtire prej hiri të një planeti ku nuk ka jetë, por kur ajo sublimohet tragjikisht në një princip moral. të mirëfilltë, tingujt e një flauti hyjnor, që agonizojnë në zemrën e çdo njeriu, të joshin të ecësh tërë endje në rrugën e hirtë të Qenies së vërtetë.

Siç thotë Hamleti në monologun e tij të famshëm, “mendimi nisi të zverdhë ngjyrën e rezolutës”, brenda meje. Ideja e vetëvrasjes filloi të sprapset e m’u duk se u ndal atje ku nuk arrija ta shquaja. “Duhet të bësh diçka që ta vlejë të japësh jetën për të”. Ka kaluar një kohë e gjatë, me sa duket jeta tek unë po shuhet natyrshëm. Nuk kam mundur, të paktën deri tani, të ravijëzoj se ç’ka është kjo diçka. Në çaste të vështira, i ndodhur në krizë të thellë shpirtërore e kam mohuar ekzistencën e saj, por shumë shpejt e kam riprodhuar jo i bindur plotësisht, pa e njohur.

…Mbas dite në fund të nëntorit. E ftohta e hidhur tërë lagështi e Tiranës kish depërtuar dhe në muret e qelisë sime. Por dridhesha, dhëmbët kërcisnin e kur mendoja si do kalonte nata pa mbarim, më ngriheshin leshrat përpjetë. Krejt i pafuqishëm nga mungesa e ushqimit herë pas here bëja lëvizje gjimnastikore për t’u ngrohur qoftë edhe për pak çaste. Pastaj shtrija trupin disi i lirshëm mbi dysheme dhe ashtu i rraskapitur prisja gjumin duke soditur nga dritarja e kryqëzuar ku retë fluturonin njëra pas tjetrës pa u ndjerë.

Nuk po vinte. Nisa të lëviz. Dora më ndeshi në pak çaj të derdhur pak më parë. U krijuan disa njolla mbi të cilat dridheshin rrezet e zbehta te llambës që s’shuhej tërë natën. Dalëngadalë të ndrojtura filluan të afrohen dhe erdhi një çast e u bashkuan, lëngjet e tyre u përzien. Megjithëse ishte po ai lëng i murrmë i çajit reflekset ndryshuan. Para syve të mi mbeti vetëm një njollë, e cila, si zakonisht, ndodhte këto kohët e fundit i harruar nga hetuesit, merrte trajtat e shquara të një kompozimi anonim. M’u paraqit një çift i mbërthyer në akt seksual në një pozicion krejt të pavolitshëm me dy kokat në drejtim të kundërt si në letrat e bixhozit.

Nuk arrija të kuptoja pse piktori i kishte vendosur në këtë mënyrë, ku ishte qëllimi i tij. Rreth kokës së atij që dukej si mashkull shtrihej një pjesë dyshemeje shumë e pastër dhe e ndriçuar mirë; vështrimi i tij tretej i përhumbur diku përtej saj ku fillonte hija që i vinte rrotull dhomës, ndërsa koka e femrës ndodhej e zhytur në njolla të vjetra e të linte përshtypjen se po kënaqej me kundërmimin e tyre të ndyrë. Fërkova sytë dhe mënjanova pak kokën time me shpresë se kompozimi do të zhdukej, por s’ndodhi ashtu. Në të kundërt, trupat e dashnorëve lëvizën bashkë me mua të ndezur nga një epsh i paparë. Për një çast thashë me vete: “Mos po marrosem”?!

…Ndërrimin e gardianëve në mesnatë e dëgjova, s’më zinte gjumi. Duhet të ketë qenë aty rreth orës dy kur një ulërimë e llahtarshme shqeu heshtjen e mbarsur të asaj godine të nëmur me dhembje e brenga nga më të ndryshmet. “Nuk ndahena”! bërtiste njëri zë fuqishëm, ndërsa tjetri që me sa dukej po largohej nëpër korridor më i dobët “Amanet fëmijët”! Këto fjalë u përsëritën disa herë të përziera me zhurmën e këmbëve të policëve dhe thirrjet e tyre të shkurtra “shpejt, shpejt”!

E morën për ta pushkatuar të gjorin. Të gjithë në qelitë e tyre, të tmerruar ndjenin dhembjen e tjetrit si të ishte e tyre. Dridhesha i tëri. Një portë qelie u mbyll e përplasur me forcë. M’u duk sikur më goditi në gjoks e më flaku në mur. Heshtja pa u ndjerë hipi në fronin e saj për pak kohë e pa shqetësuar.

I mbeturi vetëm brenda katër mureve që i zinin frymën herë pas here lëshonte një ulërimë të frikshme si ajo e qenit që ndjell mortje. Sot gjahun vdekjes po ia dhuronin të tjerët, nuk kishte nevojë të endej pas tij e t’i ngulte kthetrat duke gulçuar. Ata që e duan marrëzisht jetën e tyre, marrëzisht mendojnë se duke vepruar kështu e largojnë nga vetja.

Gabojnë rëndë, vdekja është fundi i jetës dhe një pjesë integrale e saj, në krahët e së cilës do mbarojmë të gjithë; nuk duan të kuptojnë se ajo nuk është një armik jashtë nesh, por një dëshirë e jona e brendshme për heshtjen dhe paqen e thellë të mos ekzistencës. Njeriu i papjekur për vdekjen nuk është i përshtatshëm për shijen e saj, ai vazhdon të mbetet i gjallë e i vdekur njëkohësisht, duke shërbyer si katalizator për komponime të reja të dyshimta në këtë botë.

Britmat therëse po rralloheshin, një nga një ranë në një pellg vaji të turbulluar, në një dënesje që dalëngadalë iu nënshtrua heshtjes enigmatike të gjërave; i bindur për atë që ndodhi me sa dukej u përmblodh. Hamendjet shqetësuese dhe shpresat i braktisi tek e panjohura. Një gjumë i errët me siguri e pushtoi si më ndodhi edhe mua.

Ta gjykosh tjetrin duke u nisur nga vetja, nënkuptohet, është diçka e dyshimtë, po që aty shtrihet një pjesë e madhe e së vërtetës nuk mund ta mohosh. Nuk jemi tepër larg njëri-tjetrit sidomos në raste të tillë…! Meqë jemi kafshë të arsyeshme të shumta janë përgjigjet e zgjidhjet arbitrare. Nyja Gordiane nuk pritet njëherë e përgjithnjë se ajo ka një veçori të mbrapshtë që gjithmonë lidhet vetë përsëri.

Hijet e trembura të asaj nate të gjatë ishin fshehur në skutat e tyre pa emër, kur qerpikët e mi të ngjitur mezi u shqitën. Në katrorin e dritares së kryqëzuar u shënua një ditë e re. Disa herë i erdha rrotull dhomës me padurimin e njeriut që pavetëdijshëm diçka pret. Parandjenjat në kuintat e tua hedhin një dritë të zbehtë në skenën ku më pas do të luhet drama. Kam përshtypjen se ato gjallërohen kur arsyeja e rraskapitur ndodhet pa e kuptuar në kufijtë e saj më të skajshëm! Memorie.al

Go to TOP