Abdixhiku: Sokol Haliti, edhe katër vite për Viti – njeriu i punës së qetë dhe rezultateve të mëdha

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zyrtarizuar kandidaturën e Sokol Halitit për një mandat të katërt në krye të Komunës së Vitisë. Në një takim me strukturat e degës së LDK-së në këtë komunë, Abdixhiku tha se Haliti përfaqëson një model të rrallë të përkushtimit dhe shërbimit qytetar duke punuar me ritëm dhe vizion të qartë, larg zhurmës politike.

“Sokoli është figura e përkushtimit të qetë. Nuk ka ndërtuar pushtet mbi zhurmë, por mbi punë. E ka merituar respektin e qytetarëve me thjeshtësi, ndershmëri dhe shërbim”, deklaroi Abdixhiku.

Ai theksoi se gjatë tri mandateve të tij, Haliti ka sjellë projekte konkrete, ka ndërtuar infrastrukturë, ka përkrahur bujqësinë, të rinjtë dhe ka ngritur cilësinë e shërbimeve publike në komunë.

“E kam parë në rrugët e qytetit, në vizita nëpër fshatra – gjithmonë pranë njerëzve, gjithmonë i gatshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre. Kam parë tek ai një virtyt të rrallë në politikën e sotme – thjeshtësinë dhe durimin për të dëgjuar, qetësinë për të ndërtuar”, tha kreu i LDK-së.

Duke theksuar mbështetjen e madhe që Haliti gëzon në Viti, Abdixhiku u shpreh i bindur se mandati i katërt do të sjellë edhe më shumë zhvillim për komunën. Ai përfundoi me mesazhin: “Edhe katër!”. /Kosova.info/

Go to TOP