Zogaj: Ministri i Financave po mashtron, nuk ka para “të tepruara” në Prishtinë – burokracia qendrore po mban peng projektet për arsye politike

Deputeti dhe ish-nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit të Financave për, siç tha ai, “paratë që i kanë tepruar Komunës së Prishtinës ndër vite”, raporton Kosova.info.

Sipas Zogajt, këto deklarata janë mashtruese dhe krejtësisht të pavërteta, pasi në financat publike nuk ekziston koncepti i “parave të tepruara” kur ato janë të planifikuara për projekte konkrete.

“Çdo euro në buxhetin e Komunës së Prishtinës është e planifikuar sipas projekteve, kontratave, procedurave dhe fazave të zbatimit. Nëse një projekt nuk ekzekutohet brenda vitit, mjetet barten me vendim të Ministrisë së Financave në vitin pasues – praktikë e rregullt ligjore dhe e domosdoshme për projekte shumëvjeçare si rrugët, ndriçimi publik apo parqet,” theksoi Zogaj.

Ai shtoi se në realitet, pikërisht Ministria e Financave ka vonuar bartjen e këtyre mjeteve, duke penguar zbatimin e projekteve në kohë dhe zhvillimin e kryeqytetit.

“Nuk është komuna ajo që i lë paratë pa i shpenzuar, por burokracia qendrore që po mban peng zhvillimin e Prishtinës për motive politike,” tha Zogaj, duke i bërë thirrje ministrit të ndalojë manipulimin e opinionit publik.

Në fund, ai kërkoi që ministri të sqarojë publikisht arsyet pse ka bllokuar buxhetin dhe bartjen e fondeve të Komunës së Prishtinës, duke theksuar se qytetarët janë ata që po e ndjejnë pasojën e vonesave dhe pengesave të qëllimshme./Kosova.info/

Go to TOP