Zemaj zbulon prapaskenat e listës së LDK-së: Si u lanë anash Hoti dhe Bajrami për hir të bashkimit me Osmanin?
Anëtari i Kryesisë së Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, ka zbuluar detaje rreth përpilimit të listës zgjedhore të përbashkët me iniciativën e Vjosa Osmani për zgjedhjet e 7 qershorit duke e cilësuar atë si rezultat të një marrëveshjeje politike për bashkimin e të djathtës dhe synimin për fitore.
Në një intervistë për KosovaPress, Zemaj tha se lista është përpiluar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në koordinim me Osmanin, ndërsa pranoi se ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe deputetja Hykmete Bajrami do të duhej të ishin më lart në renditje.
“Duhet të ketë kujdes me figura që kanë kontribuar gjatë në Lidhjen Demokratike dhe që kanë peshë të votës”, deklaroi Zemaj duke shtuar se renditja është rezultat i kompromisit politik dhe marrëveshjeve të brendshme.
Ai theksoi se, megjithatë, fokusi kryesor mbetet fitorja e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme dhe jo numrat në listë.
Duke komentuar mungesën e Hotit dhe Bajramit në tubimin e bashkimit me Osmanin, Zemaj tha se ata kanë obligime të tjera dhe se kjo nuk nënkupton përçarje brenda partisë.
Sipas tij, LDK-ja po hyn e mobilizuar në garën zgjedhore dhe bashkimi me Osmanin vetëm sa do ta rrisë mbështetjen elektorale.
Zemaj foli edhe për refuzimin e Agim Veliu për t’iu bashkuar listës së përbashkët duke thënë se ai duhet mirëkuptuar për shkak të zhvillimeve dhe ndarjeve që ndodhën në vitin 2021 mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit.
“Ne hyjmë për t’i fituar zgjedhjet. Hyjmë me seriozitetin dhe kapacitetin maksimal të mundshëm”, deklaroi Zemaj. /Kosova.info/
