Zemaj: Pasurimi në emër të pacientit është i pafalshëm – Qeveria në ikje e ka shndërruar shëndetin në biznes
Deputeti i LDK-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimeve të barnave duke akuzuar qeverinë aktuale për keqpërdorim dhe mashtrim ndaj qytetarëve.
Zemaj theksoi se medikamenti “Travazol”, për të cilin Ministria e Shëndetësisë kishte premtuar se do të kushtonte vetëm 1.51 euro, aktualisht shitet me çmim prej 4.83 euro. “Ky është vetëm një nga shumë rastet ku mbi 40% e barnave kanë pësuar rritje çmimi, shumë prej tyre në mënyrë ekstreme”, deklaroi ai.
Sipas tij, situata është e papranueshme dhe pasqyron një keqpërdorim të qartë institucional. “Keqpërdorimi është evident. Heshtja është bashkëfajësi. Kjo qeveri në ikje e ka rritur varfërinë dhe e ka vështirësuar jetën e pacientit e të çdo qytetari”, u shpreh Zemaj.
Ai shtoi se kur një prind nuk ka mundësi të blejë një krem për fëmijën e vet, apo një i moshuar duhet të zgjedhë mes bukës dhe barnave, kjo nuk është më vetëm dështim, por padrejtësi.
“Shëndeti është e drejtë, por për qeverinë në ikje është biznes. Qytetarët meritojnë dinjitet, jo mashtrim”, përfundoi ai duke kërkuar llogaridhënie dhe veprime të menjëhershme për të parandaluar thellimin e krizës në sektorin e shëndetësisë. /Kosova.info/
