Zelensky: Rusia përdori raketë balistika nga Koreja e Veriut

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar përmes një postimi në platformën X pas sulmit të fundit me raketa mbi qytetin e Kievit, ku theksoi se Rusia mund të ketë përdorur një raketë balistike të prodhuar në Korenë e Veriut.

“Operacionet për heqjen e rrënojave vazhdojnë ende në Kiev pas sulmit rus me raketa. Të afërmit e atyre që mund të jenë ende nën rrënoja janë aty, së bashku me ekipet e shpëtimit dhe shërbimet e emergjencës, të cilët do të vazhdojnë punën deri sa të mësohet fati i çdo personi që mund të jetë prekur,” shkruan Zelensky në postim.

Sipas tij, sipas informacioneve paraprake, “rusët përdorën një raketë balistike të prodhuar në Korenë e Veriut,” ndërsa shton se shërbimet speciale të Ukrainës janë duke verifikuar detajet.

“Nëse kjo konfirmohet, do të jetë një tjetër provë për natyrën kriminale të aleancës mes Rusisë dhe Pyongyangut. Ata vrasin njerëz dhe shkatërrojnë jetë bashkë – ky është i vetmi qëllim i bashkëpunimit të tyre,” thekson presidenti ukrainas.

Ai akuzoi Rusinë se po përdor luftën si një mjet për t’i ofruar Koresë së Veriut një fushë testimi për armët e saj: “Në këmbim, Pheniani ka mundësinë të bëjë armët e tij më vdekjeprurëse në kushte reale lufte.”

Zelensky nënvizoi se asnjë vend në botë nuk duhet të përballet i vetëm me kërcënime të tilla dhe zbuloi se “në sulmin e sotëm masiv ndaj qyteteve dhe civilëve tanë, ushtria ruse përdori më shumë se 200 mjete shkatërrimi – raketa dhe dronë sulmues.”

Si pasojë e sulmit, ai tha se “mbi 100 persona janë plagosur dhe 12 janë vrarë,” duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.

“Duhet të ketë presion të vërtetë mbi Rusinë për ta ndalur këtë. Edhe në kulmin e përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare, Rusia vazhdon të vrasë civilë. Kjo tregon se Putini nuk ka frikë,” shkruan Zelensky, duke shtuar se është i domosdoshëm një ndalim i plotë dhe i pakushtëzuar i sulmeve.

Në fund të deklaratës, presidenti ukrainas kërkoi forcimin e mburojës ajrore të vendit dhe falënderoi të gjithë ata që po ndihmojnë Ukrainën. “Bashkëpunimi i shteteve që vlerësojnë jetën dhe njerëzit duhet të ndalojë aleancat e vrasësve.” 


Go to TOP