Zelenski, pesë vjet nga marrja e detyrës së presidentit të Ukrainës

Më 20 maj u bënë pesë vjet që kur Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski mori detyrën. Sipas ligjit të Ukrainës, presidenti ka një mandat pesë vjeçar, por zgjedhjet janë shtyrë ndërsa në vend vazhdon të jetë në fuqi ligji i mobilizimit ushtarak. Presidenti Zelenski ka pasur një mandat sfidues, duke udhëhequr vendin në periudhën e vështirë të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë, që ende po vazhdon.

Pesë vjet më parë, një politikan i ri, por një fytyrë e njohur për ukrainasit, u bë president i vendit. Aktori, komediani dhe sipërmarrësi 41-vjeçar Volodymyr Zelenskyy mori detyrën si presidenti i gjashtë i Ukrainës.

“Ukraina është një vend me paradokse të shumta politike. Dhe presidenca e Zelenskit është një nga paradokset më të jashtëzakonshme. Politika ishte për të një temë që ai e trajtonte me sarkazëm dhe shaka. Por, ai papritmas e gjeti veten në vendin e atyre që i kritikonte dhe tallte”, thotë Volodymyr Fesenko, Qendra për Studime Politike “Penta”.

“Në Amerikë, njerëzit ishin të habitur që ky aktor arriti të fitonte 73% të votave. Ishte thjesht e mahnitshme! Por ai nuk kishte shumë përvojë, dhe mendoj se në ditët e para, ai pati nevojë për pak kohë që të krijonte një ekip këshilltarësh dhe të fitonte përvojën që i nevojitej”, thotë John Tefft, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë.

Ndër premtimet e zotit Zelenski ishin lufta ndaj korrupsionit dhe varfërisë, si dhe përpjekja për të bindur presidentin rus Vladimir Putin për t’i kthyer Ukrainës Krimenë dhe Donbasin.

“Nëse takohem me zotin Putin, do t’i them: ‘Më në fund, na kthyet territoret tona. Sa para jeni të gatshëm të paguani si kompensim për mbajtjen e tyre?’”

“Ai mendonte se do të fillonte negociatat me Putinin dhe do ta bindte se dëshiron paqe dhe se Putini gjithashtu donte paqe. Ai u përpoq ta bënte këtë, por kjo nuk funksionoi. Rezultoi se Zelenski donte paqe, por jo Putini. Ai donte që Ukraina të nënshtrohej”, thotë analisti Volodymyr Fesenko.

Më 24 shkurt 2022, Rusia nisi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës. Shumë ekspertë perëndimorë mendonin se presidenti Zelenski do të largohej nga vendi, por ai qëndroi në Ukrainë, duke e udhëhequr atë gjatë luftës.

“Zelenski u bë një udhëheqës i kohës së luftës. Ai ndryshoi fizikisht dhe psikologjikisht. Ai pothuajse ndaloi së qeshuri. Ai duket më i pjekur dhe më i ashpër”, thotë zoti Fesenko.

Në vitin 2022, revistat Time dhe Financial Times e shpallën zotin Zelenski “Njeriun e Vitit”. Ai ka bërë udhëtime të shumta në vijën e parë të frontit, duke përfshirë ato në Bakhmut dhe Avdiivka, si dhe qytetet e çliruara të Buçës, Izumit dhe Khersonit. Ai ka mbajtur dy fjalime në Kongresin amerikan dhe është takuar shumë herë me Presidentin Joe Biden.

“Në përgjithësi, ai ka treguar aftësi të forta udhëheqëse. Pa të, nuk e di se ku mund të ishte Ukraina sot”, thotë analisti John Hardie nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.

Presidenti Zelenski thotë se do të mbetet president për aq kohë sa në Ukrainë do të jetë në fuqi ligji i mobilizimit ushtarak. /voa/

Go to TOP