Zbulohet një specie e panjohur e merimangës së detit
Shkencëtarët thanë se kanë gjetur tre specie të panjohura më parë të merimangave në brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara.
Këto specie ushqehen me metan që rrjedh disa mijëra metra nën sipërfaqen e detit.
Sipas hulumtimit të botuar në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences, bakteret janë në ekzoskeletin e këtyre merimangave, ndërsa mikrobet nga ana tjetër shndërrojnë metanin, i cili përndryshe është i pasur me karbon, dhe oksigjenin në sheqerna që merimangat mund t’i hanë.
“Ashtu siç do të hanit vezë për mëngjes, merimangat e detit kruajnë sipërfaqen e trupit të tyre dhe hanë të gjitha këto baktere për ushqim”, tha Shana Goffredi, studiuesja kryesore në studim dhe profesoreshë e biologjisë pranë Kolegjit Occidental në Los Anxhelos.
Ajo theksoi se ky lloj ushqyerjeje nuk është vërejtur më parë te merimangat e detit.
Speciet e tjera të merimangave të detit kanë më shumë të përbashkëta me të afërmit e tyre të tokës, duke përdorur dhëmbë të mëdhenj për të kapur, paaftësuar dhe thithur lëngje nga preja e butë siç është meduza. Speciet e zbuluara të merimangave të detit nuk kanë atë që u nevojitet për të kapur prenë, kështu që ushqehen me metan nga trupat e tyre.
Goffredi theksoi se këto merimanga mund të luajnë një rol kyç në parandalimin e metanit që të arrijë atmosferën e Tokës.
