Ymeri paralajmëron padi ndaj Konjufcës për shpifje: Nuk kam pasur kurrë biznes në sektorin e energjisë
Kandidatja për deputete nga LDK-ja, Janina Ymeri, ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Glauk Konjufca në emisionin “Debat Plus” duke i cilësuar ato si shpifje dhe duke paralajmëruar padi.
Ymeri ka mohuar kategorikisht se ka pasur ndonjëherë biznes apo lidhje me kompani që merren me shitblerjen e energjisë elektrike.
“Nuk kam pasur kurrë dhe nuk kam asnjë biznes ose lidhje me ndonjë biznes që merret me shitjen dhe blerjen e energjisë”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, për shkak të deklaratave të Konjufcës, të hënën do të ndërmarrë veprime ligjore për shpifje.
Ymeri ka akuzuar më tej drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje për lidhje me atë që ajo e quan “mafi energjetike” duke përmendur edhe ambasadorin Martin Berishaj. Ajo ka pretenduar se ka kërkuar hetime nga Prokuroria Speciale lidhur me çështje të sektorit energjetik dhe ka theksuar se do të vazhdojë të denoncojë, sipas saj, përfshirjen e zyrtarëve të pushtetit në këto procese.
Ajo ka bërë të ditur se prej më shumë se një viti është e përfshirë në procese ligjore që lidhen me këto pretendime duke përmendur edhe një padi nga KEK-u, për të cilën thotë se është rrëzuar.
Ymeri ka përfunduar duke theksuar se nuk do të ndalet në përpjekjet e saj për të kërkuar zbardhjen e çështjeve që lidhen me sektorin energjetik dhe financimin politik. /Kosova.info/
