Ylli mposht kampionen në ndeshjen e parë të gjysmëfinales

Golden Eagle Ylli e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. 

Suharekasit të shtunën në mbrëmje mposhtën kampionen në fuqi të Kosovës, Pejën, me rezultatin 87:84

Me ndeshjen që u zhvillua në palestrën “Karagaçi”, u shënua edhe nisja e fillimit të gjysmëfinaleve të plejofit. 

Gjysmëfinalja tjetër është ajo mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës që luhet të dielën në orën 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. 

Ndeshja e parë ishte dramatike dhe ashtu pritet të jenë edhe gjysmëfinalet e tjera. 
U vendos në çerekun e katërt. 

23:22 mysafirët e fituan periudhën e parë, kurse çereku i dytë u mbyll me rezultatin e barabartë, 19:19. 
Në pushim, Ylli shkoi me një pikë dallim, 42:41. 

Peja u kthye fuqishëm në çerekun e tretë të cilin e fitoi 30:15. Vizitorët u kundërpërgjigjën në 10-të minutëshin e fundit duke fituar 30:13 dhe iu gëzuan në fund triumfit me tri pikë dallim. 

34 sekonda para fundit, Ylli ishte duke fituar me vetëm një pikë dallim, 82:81. Deri në fund ishin më të saktë në aksionet që i patën, derisa te Peja gaboi në aksionet e veta.  

Në fitoren e Yllit më i miri ishte Alonzo Verge Jr. Ai ndeshjen e mbylli me 32 pikë, pesë kërcime e katër asistime. 

Kapiteni Gëzim Morina u shqua me 17 pikë, dy kërcime e një asistim. 

Lojë të mirë patën edhe Jan Palokaj dhe Nate Grimes. Palokaj pati 14 pikë, katër kërcime e një asistim, ndërsa Grimes shënoi 11 pikë e katër kërcime. 

Këta katër basketbollistë patën pikë dyshifrore te mysafirët. 

Te Peja dyshifror të dyfishtë pati Justin Davis me 22 pikë e 12 kërcime, ndërsa kontribuoi me një asistim. Por pejanëve nuk i ndihmuan as 22 pikët, nëntë kërcimet e dy asistimet e Jimmy Hallit. 

Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale. Peja për shkak se u rendit e dyta e ka përparësinë e terrenit vendës. Por, është mposhtur në ndeshjen e parë dhe do ta ketë të vështirë avancimin tutje. 

Ylli në çerekfinale të plejofit e eliminoi Bashkimin e Prizrenit, duke i realizuar dy fitore.

Go to TOP