Ylli fiton ndaj Sigal Prishtinës, edhe Bashkimi triumfon në Prizren

Golden Eagle Ylli ka fituar ndaj Sigal Prishtina me rezultat 82:80 në kuadër të xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Në ndeshjen tjetër Bashkimi ka triumfuar ndaj KB Vëllaznimi me rezultat 90:79 në palestrën “Sezai Surroi”.

Skuadra prishtinase ka qenë për pjesën më të madhe të ndeshjes në epërsi, por në fund suharekasit kanë arritur përmbysjen falë pikëve vendimtare të Tyreek Smith në sekondën e fundit. Smith e ka mbyllur takimin me njëzet e një pikë, pesë kërcime dhe një asistim, duke qenë vendimtar për fitoren e Yllit.

Ylli e ka fituar çerekun e parë 26:21, ndërsa Sigal Prishtina ka reaguar në të dytin duke e fituar 27:22, për ta mbyllur pjesën e parë baras 48:48. Në çerekun e tretë, Prishtina ka qenë më e mirë me 20:13 dhe në fillim të periudhës së fundit ka pasur epërsi 68:61.

Megjithatë, mysafirët e kanë ngushtuar rezultatin gradualisht dhe dyzet e gjashtë sekonda para fundit e kanë arritur barazimin. Pikët për 80:80 i ka realizuar sërish Smith. Pas një aksioni të pasuksesshëm të Altin Morinës, Smith ka përfituar dhe ka shënuar pikët e fitores.

Te Ylli janë dalluar edhe Erjon Kastrati me trembëdhjetë pikë dhe Scott Bamforth me dymbëdhjetë pikë. Ndërkohë, te Sigal Prishtina më efikasi ka qenë Deondre Burns me njëzetë e dy pikë, pesë kërcime dhe një asistim.

Pas kësaj fitore, Golden Eagle Ylli mbetet në vendin e pestë me tridhjetë e një pikë, ndërsa Sigal Prishtina në vendin e shtatë me tridhjetë pikë. Për Prishtinën kjo ka qenë humbja e pestë rresht, ndërsa Ylli i ka dhënë fund serisë prej katër humbjesh.

Nërsa në Prizren, pjesa e parë ka qenë shumë e baraspeshuar dhe është mbyllur me vetëm një pikë epërsi për prizrenasit, 37:36. Vendimtare ka qenë periudha e tretë, të cilën Bashkimi e ka fituar 24:13, duke krijuar epërsi të rëndësishme.

Basketbollistët e Vëllaznimit janë përpjekur të rikthehen në lojë në çerekun e fundit, por nuk kanë arritur ta ndryshojnë rezultatin.

Te Bashkimi janë dalluar Dequon Lake me shtatëmbëdhjetë pikë dhe njëmbëdhjetë kërcime, duke realizuar “double-double”. Ndërkohë, Jalen Riley ka shënuar njëzet pikë, kurse Lejson Zeqiri ka shtuar nëntëmbëdhjetë pikë.

Te Vëllaznimi më i miri ka qenë Jericole Hellems me njëzet e pesë pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen.

Me këtë fitore, Bashkimi ruan vendin e dytë me tridhjetë e shtatë pikë, ndërsa Vëllaznimi mbetet në vendin e gjashtë me tridhjetë pikë pas tetë fitoreve dhe katërmbëdhjetë humbjeve.

Go to TOP