Walker: Ndihemi rehat edhe me rolin e favoritit

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Kyle Walker, beson se “Tre Luanët” kanë një skuadër të shkëlqyer që duhet të konfirmojë rolin e favorit në Euro 2024.

Anglia sot në orën 18:00 përballet me Danimarkën, në ndeshjen e dytë në kuadër të Kampionatit evropian në Gjermani.

“Ne kemi një grup të madh lojtarësh që janë gjithmonë të gatshëm të tregojnë klas të jashtëzakonshëm. Ne ndihemi rehat në këtë situatë. Të gjithë jemi të etur për fitore dhe suksese të mëdha. E di që njerëzit na japin rolin e favoritit, por ne nuk i shmangemi atij. Ne do ta pranojmë presionin dhe i marrim të gjitha si një kompliment”, tha Walker.

Me një fitore të mundshme ndaj danezëve, Anglia me siguri do të siguronte vendin e parë në grup dhe do të konfirmonte rolin e favoritit. Në ndeshjen e parë, skuadra e Gareth Southgate fitoi ndaj Serbisë 1:0.

Go to TOP