Veliu për vendimin e tij në vitin 2020: Qeveria Kurti duhet vetëm ta zbatojë atë vendim dhe nuk ka pse të bëjë spektakle
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka thënë se vendimi i tij për shfuqizimin e targave KS ka qenë për ta arritur normalitetin në Kosovë dhe sipas tij, Qeveria Kurti duhet vetëm ta zbatojë atë vendim dhe se nuk ka nevojë të bëjë spektakle.
Agim Veliu, ish-ministër i Punëve të Brendshme, ka reaguar pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë të dielen e 21 gushtit përmendi vendimin e vitit 2020 për shfuqizimin e targave KS, të marrë në atë kohë nga Veliu.
Vuçiq ka sqaruar se çka i kishte propozuar në takimin e 18 gushtit në Bruksel, në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit.
“Shfuqizimin e këtij vendimi për t’i kthyer targat KS si zëvendësim për ato që i lëshon Serbia për Kosovën (KM, UR, PR e të ngjashme)”, por Vuçiq ka treguar se ky propozim është refuzuar.
“Ata shfuqizuan tabelat KS në mënyrë të paligjshme në 2020”, ka theksuar ai.
“Puna e Qeverisë Kurti është vetëm ta zbatojë atë vendim. Nuk ka as çka të bëjë spektakle, as asgjë tjetër. Le të ecë përpara”, ka thënë Agim Veliu për Gazetën Express.
Tutje, ai është shprehur se nuk e di se cila ka qenë tema e diskutimit në mes të Kurtit e Vuçiqit në takimin e 18 gushtit në Bruksel, duke thënë se nuk e ka pëcjellë.
Sipas tij, vendimin e kishte marrë për ta kthyer normalitetin në Kosovë
“Le të mendojë Kurti a e shfuqizon apo e zbaton”, ka përfunduar Veliu.
