‘VV, shkatërruese e shtetit’, Abdixhiku: Suspendimi nga ShBA, pika më e ulët e raporteve me aleatin ekzistencial

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas suspendimit të dialogut strategjik për Kosovën nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Abdixhiku thotë se ky vendim paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin strategjik dhe ekzistencial, si shtet i pavarur e sovran.

Reagimi i plotë i kreut të LDK-së:

Të dashur qytetarë,

Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran.

Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës.

Populli i Kosovës nuk është si ta.

Populli i Kosovës nuk do të jetë si ta.

Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë.

LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë.

Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme!

Go to TOP