Kryeziu: Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA është “opsion bërthamor” diplomatik, kërkohet transparencë nga qeveria
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas njoftimit të Ambasadës Amerikane për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik me Kosovën duke e cilësuar këtë si një hap të rëndë diplomatik që ka peshën e një “opsioni bërthamor”.
Sipas tij, një masë e tillë nuk mund të shihet si e vogël, pasi prek jo vetëm institucionet, por drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës dhe perspektivat e tyre për stabilitet dhe prosperitet.
Kryeziu kërkoi sqarime konkrete mbi veprimet specifike të qeverisë kujdestare që çuan deri në këtë vendim. “Kur një partner aq i afërt sa Shtetet e Bashkuara merr një masë të tillë, nuk mund të mbetet në mbretërinë e përgjithësive. Mungesa e qartësisë lë hapësirë për spekulime dhe keqinterpretime,” theksoi ai.
Ai shtoi se në një shoqëri demokratike, llogaridhënia kërkon transparencë, dhe vetëm përmes saj mund të ruhet besimi mes aleatëve. “Nëse janë bërë gabime, ato duhet të identifikohen me përpikëri, në mënyrë që përgjegjësia të jetë e qartë dhe të nxirren mësime,” u shpreh Kryeziu. /Kosova.info/
