Vuçiqi, Macronit: Zgjidhja për Kosovën të mbetet në agjendën e BE-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka kërkuar homologut të tij francez, Emmanuel Macron që çështja e Kosovës të mbetet lart në agjendën e Bashkimit Evropian.

“Përderisa Evropa po kalon një periudhë tranzicioni dhe pasigurie, unë theksova rëndësinë e vazhdimësisë në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për Serbinë, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe kushtet në të cilat jeton komuniteti serb i privuar nga e drejta”.

Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Macron.

“E ritheksova se kjo çështje duhet të vazhdojë të zërë një vend të lartë në agjendën e BE-së, me angazhim të fortë diplomatik që synon realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë. për popullin serb”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Presidenti serb ka thënë se i ka kërkuar Macronit që “të qëndrojë pranë Serbisë në rrugën e saj të vështirë drejt ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë me të cilat përballet në atë rrugë”.

Go to TOP