Vuçiq-Kurtit: Kalofsh mirë në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nuk do të shkojë në Bruksel vetëm për targa, por për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

Të martën, Vuçiqi ka përsëritur deklaratën e dhënë një ditë më herët se nëse për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, çështja e statusit të Kosovës është e mbyllur, njëjtë është edhe për të.

Duke komentuar deklaratën e Kurtit për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se në Bruksel nuk shkon vetëm për targa, por për marrëveshjen përfundimtare, Vuçiqi ka thënë se “në rregull, ai mund të shkojë në Bruksel kur të dojë, si të dojë, është dëshirë e tij”.

“A ka thënë se për të çështja e statusit ka marrë fund…edhe për mua çështja e statusit ka marrë fund për kohë të gjatë, në pajtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së”, ka thënë Vuçiqi në Norvegji. “Kaloftë mirë në Bruksel”, ka shtuar ai me ironi, shkruan “Tanjug”.

Kurti në gazetën gjermane ditë më parë u shpreh se në Bruksel shkon për të negociuar për marrëveshjen finale, që sipas tij, duhet të arrihet deri në pranverën e vitit 2023.

Kurti dhe Vuçiqi të hënën e shkuar dështuan të arrijnë marrëveshje për çështjen e targave ilegale të lëshuara nga Serbia. Kurti refuzoi pajtimin pasi në të nuk u përfshi çështja që të diskutohej për marrëveshjen finale, që sipas kryeministrit të Kosovës, ishte në ftesën e bërë nga ndërmjetësit. Dy ditë pas dështimit të takimit mes krerëve, kryenegociatorët arritën pajtim.

Go to TOP