Vuçiq dhe Bërnabiq të enjten takohen me serbët e Kosovës
I emëruari i Vuçiqit për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, ka bërë të ditur se takimi i radhës me përfaqësuesit e Listës Serbe do të mbahet të enjten dhe ka shtuar se në takim do të diskutohen propozime të caktuara.
Ai ka shtuar se në takim do të marrin pjesë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq.
“Ne do të diskutojmë për konkluzionet politike që duhet të bëjmë. Do të shohim se si do t’ia bëjmë në periudhën në vijim, ka deklaruar Petkoviq, duke treguar haptas se si regjimi serb i dirigjon sjelljet e serbëve lojalë ndaj regjimit.
“Duke pasur parasysh se në takimin e fundit, Aleksandar Vuçiq kishte konkluzionet e veta, por “kur i dëgjoi serbët nga Kosova”, kur pa se çfarë kërkonin dhe se ata ishin shumë më të rreptë në disa kërkesa, Vuçiq hoqi dorë nga sugjerimet e veta. Prandaj së bashku do të shohim se cilat janë propozimet dhe konkluzionet që do të bëjmë, të kujdesemi që të mos rrezikojmë interesat tona, të ruajmë sigurinë e popullit tonë, të ruajmë paqen dhe nga ana tjetër, të shohim se çfarë mund të bëjmë për çështjen e normalizimit, gjë që është pothuajse e pamundur me Albin Kurtin”, ka deklaruar Petkoviq.
