Vriten dy ushtarë në Bregun Perëndimor, thotë ushtria izraelite

Ushtria izraelite njoftoi të enjten se dy ushtarë të saj u vranë nga një sulm me veturë në Bregun e uzurpuar Perëndimor.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur shumë gjatë luftës në Rripin e Gazës, pasi Izraeli po i bastis qytezat palestineze në këtë territor për t’i luftuar militantët.

Më shumë se 500 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Bregun Perëndimor gjatë kësaj kohe. Por edhe sulmet palestineze kundër izraelitëve janë rritur njëkohësisht në këtë territor.

Në Rripin e Gazës, palestinezët në qytetin kufitar Rafah raportuan për luftime të ashpra në dy ditët e fundit. Izraeli është duke e zgjeruar ofensivën në Rafah dhe tashmë e ka marrë në kontroll tërë pjesën kufitare të Gazës me Egjiptin.

Luftimet në Gazë i kanë detyruar tashmë mbi 1 milion palestinezë të iknin, shumica e të cilëve ishin zhvendosur atje nga pjesë të tjera të Gazës për të kërkuar strehim nga lufta e Izraelit kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ata po kërkojnë strehim tani në tenda të improvizuara dhe në zonat e tjera të rrënuara nga lufta, ku u mungojnë shatorret, ushqimi, uji dhe gjërat tjera thelbësore për të mbijetuar, sipas Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, Qeveria e Sllovenisë e mbështeti të enjten një mocion për njohjen e shtetit palestinez dhe i ka kërkuar Parlamentit ta bëjë të njëjtën gjë.

Vendimi i Qeverisë sllovene vjen vetëm dy ditë pasi Spanja, Norvegjia dhe Irlanda e njohën shtetin palestinez. Qëndrimet e tyre u dënuan ashpër nga Izraeli.

Lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Go to TOP