Vlojnë infeksionet brenda-spitalore në QKUK

Njëra nga dhomat e Klinikës së Kirurgjisë Torakale në QKUK është e dedikuar për rastet septike, e cila quhet dhoma septike.

Hapësirë kjo me katër shtretër për pacientët që izolohen për shkak të infeksioneve të shkaktuara nga bakteret e ndryshme dhe për të parandaluar përhapjen e infeksioneve brenda-spitalore tek pacientët e tjerë.

Drejtuesi i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci shpjegon se kryesisht këto raste me infeksione i kanë të transferuara nga klinikat e tjera.

Mirëpo një dhomë e tillë që ndan pacientët me infeksione me ata që nuk kanë mungon në disa klinika, madje edhe në atë të Anestezionit me Mjekim Intensiv, kjo e fundit e evidentuar edhe në raportin e brendshëm për vitin 2022 nga Ekipi për Kontroll dhe Parandalim të Infeksioneve Spitalore në QKUK.

Në raport thuhet se shkalla e infeksionit në Klinikën e Anestezionit me Mjekim Intensiv ka rezultuar 42.61%, derisa shpjegohet se këtë shifër e rritën edhe rastet e pranuara me gjendje septike prej 8.8%.

Kjo klinikë pasohet me atë të Neonatologjisë tek foshnjat në kujdesin intensiv me 18.95%, Kirurgjia Plastike me 43 raste, Gjinekologjia 13, Ortopedia 8 dhe Nefrologjia 5.

Shifra këto që janë nxjerrë nga mostrat e konfirmuara mikrobiologjike, megjithëkëtë në raport theksohet se ka klinika që nuk kanë dhënë raport fare, në mesin e tyre edhe Klinika Infektive.

Në total ky raport për vitin 2022 ka gjetur mbi 600 raste në QKUK me infeksione brenda-spitalore.

Ekipi për Kontroll dhe Parandalim të Infeksioneve Spitalore në mesin e shumë faktorëve kundrejt kësaj gjendje ka theksuar mungesën e shamponit, letrave higjienike, mungesën e infermiereve, mbajtja e thonjve të zgjatur artificial nga një pjesë e stafit si dhe aksesorët, mungesa e uniformave dhe të ngjashme.

Go to TOP