Begaj nga Lugina e Preshevës: Do të jem avokat i të drejtave të shqiptarëve
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar vizitë në Luginën e Preshevës, ku është takuar me përfaqësues politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të kësaj treve.
Përmes një postimi në Facebook, Begaj tha se gjatë vizitës ka diskutuar për shqetësimet e shqiptarëve të Luginës, forcimin e bashkëpunimit politik dhe projektet që synojnë mbështetjen e rinisë.
“Vizitova sot Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarë në trojet e veta, fatkeqësisht jashtë trupit amë”, ka shkruar Begaj.
Ai bëri të ditur se është pritur nga përfaqësuesit lokalë me të cilët ka diskutuar për çështjet që prekin komunitetin shqiptar.
“Biseduam me kryetarët e komunave, Ardita Sinani dhe Arbër Bajazitin, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepin, për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë e këtushme”, ka theksuar presidenti shqiptar.
Begaj u ka bërë thirrje liderëve politikë shqiptarë të kësaj zone që të bashkohen kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
“I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar ai.
Presidenti i Shqipërisë ka deklaruar se Tirana zyrtare do të vazhdojë të mbështesë kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare”, ka deklaruar Begaj.
Ai ka shtuar se do të vazhdojë angazhimin e tij për këtë çështje në arenën ndërkombëtare.
“I sigurova se do të vazhdoj të jem, si deri më tani, avokat i tyre, avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare”, ka përfunduar Begaj. /Kosova.info/
