Vjollca Kadolli: Fuqizimi i grave dhe partneriteti me komunitetin, çelës për politika më të drejta
Kandidatja e LDK-së për deputete në zgjedhjet e 7 qershorit, Vjollca Kadolli, ka bërë një postim në Facebook lidhur me pjesëmarrjen e saj në debatin “Fuqia në partneritet: Nga Dialogu në Veprim”, të organizuar nga National Democratic Institute me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në kuadër të aktiviteteve të “Javës së Gruas 2026”.
Kadolli ka theksuar rëndësinë e fuqizimit të grave dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit për ndërtimin e politikave që reflektojnë nevojat e qytetarëve.
Ajo bëri të ditur se mori pjesë edhe në pritjen e organizuar nga ambasadorja Nancy Soderberg, e cila, sipas Kadollit, vlerësoi përkushtimin e Komunës së Vitisë në avancimin e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe institucionale.
“Partneriteti ndërmjet institucioneve dhe komunitetit mbetet çelës për ndërtimin e politikave që reflektojnë nevojat reale të qytetarëve”, ka shkruar Kadolli në postimin e saj./Kosova.info
