Vjen paralajmërimi për rrezikun nga Serbia në Ballkan, 4 pikat përmes së cilave po punon për realizimin e synimeve ndaj Kosovës

Serbia po vazhdon kërcënimet e saj dhe madje po cilësohet si shteti që po e rrezikon paqen në Ballkan.

Ajo po insiston që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, pavarësisht se Kosova është kundër formimit të saj.

Se Serbia po e rrezikon paqen në Ballkan mendon edhe profesori Muhamet Kelmendi.

Ai në një prononcim, ka thënë se ajo kurrë nuk është ndalur nga pretendimet territorial ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, me pikësynim kryesor viset shqiptare, derisa tregon dhe vendet që po e përkrahin Serbinë në idetë e saj.

“Në fakt, kurrë nuk është ndalur Serbia nga pretendimet territoriale ndaj vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor. Pikësynimi kryesor ka qenë serbizimi i viseve shqiptare dhe të territoreve bosnjane, kroate e malaleze. Ideja e “bashkimit të botës serbe në një shtet” ka për pikësynim zgjerimin e shtetit serb në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë, deri edhe në Kninin e Kroacisë. Këtej po iu del në ndihmë të madhe Rusia dhe Kina. Ka edhe vende tjera që po e përkrahin botën shoviniste raciste serbe. Në kuadër të Evropës është 5-shja evropiane që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe segmentet e veçanta në kuadër të UE. Shih për këtë kryesisht tandemin Borrell – Lajçak që edhe janë përfaqësues të UE për dialog midis Kosovës dhe Serbisë dhe që të dy vijnë nga shtetet që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Të prirë nga kjo përkrahje e madhe dhe me synim të ripushtimit janë qeveritarët e Beogradit në veprim për të destabilizuar deri në shkatërrim të Bosnjes e Hercegovinës. Atje ka armatosur shteti serb armatën serbe dhe ka dërguar vullnetarë rusë. Priten edhe aksione luftarake”, është shprehur ai.ImageMuhamet Kelmendi

Sipas tij, në Kosovë është forcuar rezistenca serbe dhe po vepron në destabilizim të saj e gjendja nuk është e mirë as në vendet e tjera.

“Në Kosovë është forcuar rezistenca serbe ndaj shtetit të Kosovës dhe po vepron në drejtim të destabilizimit për të sulmuar Kosovën edhe ushtarakisht. Në Malin e Zi është forcuar politika serbe dhe tash gjendet në pushtet. Kjo po bëhet edhe me përkrahjen e partisë “Ura”. Më mirë nuk është gjendja as në Maqedoninë e Veriut. Edhe ndaj këtij shteti ka pretendime Serbia”, ka theksuar Kelmendi.

Ai ka treguar 4 drejtimet në të cilat Serbia po punon për t’i realizuar pikësynimet e saj.

“Për t’i realizuar këto pikësynime po punohet në disa drejtime: 1. Në armatosjen në armë moderne nga Rusia dhe me krijimin e gjendjes konfliktuoze brenda këtyre republikave. 2. Në punën e madhe diplomatike në drejtim të tërheqjes së njohjeve për Kosovën, duke punuar që mos të ketë gjithashtu as njohje të reja. 3. Po krijohen situata konfliktuoze brenda Republikave, sidomos në Kosovë, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Mal të Zi. 4. Tehu i luftës është aktualusht kundër Kosovës, ku Serbia po e kërcënon me luftë Republikën, në emër gjoja të rrezikimit të pakicës serbe në Kosovë”, ka vlerësuar profesori.

Ai ka përmendur dhe disa pika lidhur me Kosovën, përmes të cilave Serbia synon t’i arrijë synimet e saj, duke ripushtuar e ndarë Kosovën.

“Këtej ka kohë që janë disa pikësynime hegjemoniste në të cilat po punon Serbia. Së pari, në ripushtim të tërë Kosovës, me ideologjinë se “Kosova është serbe”, Së dyti, me ndarjen e copëtimin e Kosovës dhe së treti, në krijimin e Asociacionit serb në Kosovë. Në këto pikësynime e ka përkrahjen e disa forcave në UE, të Rusisë dhe të Kinës”, ka deklaruar ai.

Sipas profesorit, BE duhet ta ndalë këtë politikë të Serbisë, derisa shton se ndihmën kryesore për Kosovën do ta japing SHBA-të, Gjermania, Anglia dhe disa shtete të tjera, ndërsa shqiptarët duhet ta mbrojnë me çdo kusht pasi dikur bëhet vonë dhe kërkohet intervenim ushtarak për ta ndalur.

“UE duhet ta ndalë politikën që në emër të Unionit Borrell dhe Lajçak po e bëjnë në favorat ekspansionit serb mbi Kosovë. Ndihmën kryesore kërkohet ta jap Anglia, Gjermania dhe SHBA-të. Ka edhe shtete tjerë që mund të ndihmojnë në ndaljen e agresionit serbomadh. Shqiptarët do të mbrojnë me çdo mjet dhe mënyrë Republikën. Populli ynë nuk luftoi që tash të ripushtohet. Republika dhe shteti janë të panegociueshme. Ato nuk janë në pazar. Pushtimi mund të bëhet vetëm me shkatërrim total. Mirëpo, është koha kur mund të ndalet shteti serb. NATO, UE shtetet demokratike e liridashëse e kanë në dorë. Dikur bëhet vonë. Atëherë kërkohet intervenim ushtarak për të ndalur”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi .

Go to TOP