Vizitë strategjike në Londër për Prishtina 2030: Rama, Gashi dhe Krasniqi forcojnë partneritetet ndërkombëtare

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar si shumë të suksesshme dhe strategjike vizitën e zhvilluar në Londër, së bashku me Ministrin e Sportit, Blerim Gashani, dhe Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Sipas Ramës, kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm përpara në procesin e organizimit të një ngjarjeje ndërkombëtare të standardeve botërore duke synuar forcimin e bashkëpunimit me institucione dhe partnerë kyç në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë qëndrimit në Londër, delegacioni kosovar zhvilloi takime të nivelit të lartë me përfaqësues të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, UK Sport dhe zyrtarë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Diskutimet u fokusuan në prioritetet zhvillimore që lidhen me sportin, infrastrukturën dhe përgatitjet organizative të Prishtinës për vitin 2030.

Rama theksoi se Lojërat Mesdhetare nuk përfaqësojnë vetëm një ngjarje sportive, por një projekt transformues për kryeqytetin, që synon të rrisë prezencën ndërkombëtare të Prishtinës dhe të nxisë zhvillim afatgjatë ekonomik dhe urban.

Ai gjithashtu falënderoi Ambasadën Britanike për mbështetjen e vazhdueshme dhe organizimin e kësaj vizite duke e cilësuar si me ndikim të rëndësishëm për avancimin e projektit.

“Ecim përpara me besim dhe vendosmëri drejt 2030,” u shpreh Rama. /Kosova.info/

Go to TOP