Vizita e studentëve të Europa-Universität Flensburg në Katedralen Shën Nënë Tereza
Me rastin e festës së Shën Nënë Terezës, Katedralja e Prishtinës u vizitua nga një grup studentësh nga Europa-Universität Flensburg, Gjermani. Grupi u shoqërua nga udhëheqës fetar dhe profesorë të tyre.
Duke përfshirë studentë me përkatësi të ndryshme kombëtare dhe fetare, mes tyre edhe shqiptarë, vizitorët u njohën me realitetin tonë dhe mesazhin e unitetit nën një Zot të përbashkët.
Në një moment të veçantë, grupi kërkoi të dëgjojë lutjen “Ati ynë” në gjuhën shqipe. Don Agim Qerkini, famullitari i Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, shprehu besimin se të gjithë mund ta lusin këtë lutje së bashku për faktin se Ai është Krijuesi ynë, që na do pafundësisht.
Pas kësaj, grupi vizitoi Qendrën “Bogdanipolis” dhe Bibliotekën “Ernest Koliqi”, duke u njohur më afër me këto objekte të rëndësishme kulturore dhe fetare të vendit tonë. Studentët, të interesuar dhe kureshtarë, bënë shumë pyetje të ndryshme, të cilave Don Agim Qerkini u përgjigj me kënaqësi.
Në përfundim të vizitës, famullitari i falënderoi studentët për vizitën dhe u uroi një qëndrim të këndshëm në vendin tonë./Kosova.info
