Vendosja e gurëve në shinat e hekurudhës, Trainkos: Akt me elemente terroriste
“Akt sabotimi me elemente terroriste.”
Kështu e ka cilësuar ndërmarrja Trainkos veprimin e disa individëve që kanë vendosur gurë në shinat e trenit në segmentin hekurudhor Prishtinë-Pejë.
Sipas Trainkos, në trenin që po udhëtonte në këtë pjesë ndodheshin rreth 100 pasagjerë. Disa nga gurët e vendosur kishin madhësi deri në 10 centimetra, duke u përpjekur të shkaktojnë frikë, dëme ose pengesa të rënda për udhëtarët dhe transportin hekurudhor.
“Ndërmarrja jonë, Trainkos Sh.A., është gjithmonë e përkushtuar për të siguruar që operimi i trenave të jetë i sigurt dhe efikas, sidomos gjatë kushteve të vështira atmosferike, si era e fortë dhe reshjet e shiut. Megjithatë, nuk e kishim menduar se komunikacioni hekurudhor do të rrezikohej nga veprime të paligjshme dhe të dhunshme, si vendosja e gurëve në shina, që kërkojnë forcë dhe qëllim të qartë për të krijuar pengesa. Këto veprime tregojnë një nivel të lartë planifikimi dhe kërkojnë që të forcojmë më tej masat tona të sigurisë dhe bashkëpunimin me organet e rendit për parandalimin e ngjarjeve të tilla,” thuhet në reagimin e Trainkos.
Gjithashtu, Trainkos vë në dukje se politika e saj e menaxhimit të sigurisë dhe procedurat e vendosura janë të fuqishme për të garantuar një transport të sigurt dhe pa pengesa. Reagimi i shpejtë dhe profesional i makinistëve ka qenë një faktor kyç në evitimin e një incidenti të mundshëm.
“Jemi të vendosur të ruajmë integritetin tonë dhe nuk do të biem pre e shantazheve të tilla. Këto veprime nuk rrezikojnë vetëm ndërmarrjet Trainkos dhe Infrakos, por edhe sigurinë kombëtare dhe interesin publik,” përfundon Trainkos.
