Vendet më të varfra të botës drejt kolapsit për shkak të kredive të Kinës

Dhjetëra vende të varfra po përballen me pasiguri ekonomike dhe madje edhe kolapsin për shkak të borxheve prej qindra miliarda dollarësh, pjesa më e madhe e tyre të huazuara nga kredidhënësja më e madhe e botës, Kina.

Një analizë e agjencisë së lajmeve Associated Press për dymbëdhjetë vende që kanë marrë kreditë më të mëdha nga Kina – ndër to Pakistani, Kenia, Zambia, Laosi dhe Mongolia – zbuloi se shlyerja e borxhit konsumon një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave nga taksat, të cilat nevojiten për të mbajtur shkollat të hapura, për furnizimin me energji, për ushqimet apo karburantin. Gjithashtu kjo po shteron edhe rezervat në valutën e huaj, që disa nga këto vende e përdorin për të paguar interesat për këto kredi, duke i lënë kështu disa prej vendeve me vetëm pak muaj të mbetur përpara se këto rezerva të mbarojnë.

Në prapaskenë është ngurrimi i Kinës për të falur borxhe dhe ruajtja në kushte ekstreme sekreti të informacionit për sasinë e parave të huazuara dhe kushteve me të cilat ato janë dhënë. Kjo i ka detyruar edhe kredidhënësit e tjerë të mëdhenj që të mos ofrojnë më ndihmë. Për më tepër, rishtazi u mësua se vendet kredimarrëse janë shtrënguar të fusin para në llogari të fshehta që u japin prioritet pagesave për kreditë e Kinës, në krahasim me kreditorët e tjerë.

Vendet e analizuara nga agjencia e lajmeve Associated Press kanë marrë deri në 50% të borxhit të huaj nga Kina. Pjesa më e madhe e tyre po përdorin mbi një të tretën e të ardhurave të qeverisë për të paguar borxhin e jashtëm. Dy prej tyre, Zambia dhe Sri Lanka, kanë shpallur tashmë pamundësinë për të paguar as interesin për kreditë që financuan ndërtimin e porteve, minierave dhe centraleve të energjisë.

Në Pakistan, miliona punonjës tekstilesh janë hequr nga puna për shkak se vendi ka borxhe të huaja shumë të mëdha dhe nuk përballon dot furnizimin me elektricitet për makineritë e tekstilit.

Në Kenia, qeveria nuk ka dhënë rrogat për mijëra punonjës të shërbimit civil, në mënyrë që të kursejë para për të paguar borxhin e jashtëm. Këshilltari kryesor ekonomik i presidentit të vendit shkruajti në Twitter muajin e kaluar: “Rroga apo falimentim? Zgjidhni juve”.

Nga projekti hekurudhor kinez prej 3.3 miliardë dollarësh në Kenia (30 maj 2017)
Nga projekti hekurudhor kinez prej 3.3 miliardë dollarësh në Kenia (30 maj 2017)

Që nga falimentimi i Sri Lankas vitin e kaluar, gjysmë milioni vende pune janë zhdukur, inflacioni ka arritur në 50% dhe mbi gjysma e popullsisë në shumë pjesë të vendit është zhytur në varfëri.

Ekspertët parashikojnë se nëse Kina nuk fillon të zbusë qëndrimin e saj për huatë e dhëna vendeve të varfëra, atëherë mund të ketë një valë falimentimesh të tjera dhe trazira politike.

“Në shumë vende të botës, ora ka arritur mesnatën”, thotë ekonomisti i Universitetit të Harvardit, Ken Rogoff. “Ka hyrë në lojë Kina dhe ka lënë këtë paqëndrueshmëri gjeopolitike që mund të ketë pasoja afatgjata”.

ÇFARË REZULTATESH KA SJELLË

Një ndër rastet klasikë është ai i Zambias, një vend pa qasje në det me një popullsi prej 20 milionë banorësh në Afrikën e Jugut, që gjatë dy dekadave të fundit ka huazuar miliarda dollarë nga bankat shtetërore kineze për të ndërtuar diga, hekurudha dhe rrugë.

Kreditë ushqyen ekonominë e Zambias, por rritën aq shumë interesin që paguan vendi për borxhin e huaj, saqë nuk mbetën fonde për qeverisjen, duke e detyruar vendin të ulë shpenzimet për shëndetësinë, shërbimet sociale dhe ndihmën financiare për fermerët e farërave dhe të plehut kimik.

Në rrethana të ngjashme në të kaluarën, kredidhënësit e mëdhenj, si Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Franca punonin për të arritur marrëveshje për faljen e një pjese të borxhit, dhe secili kredidhënës bënte publike shumat që kishte dhënë dhe kushtet me të cilat ishin shoqëruar kreditë, në mënyrë që askush të mos ndihej se ishte mashtruar.

Por, Kina nuk luajti sipas këtyre rregullave. Fillimisht ajo refuzoi madje që të bëhej pjesë e bisedimeve shumëkombëshe, duke negociuar veçmas me Zambian dhe duke këmbëngulur për konfidencialitet që ia ndalonte vendit të ndante me kredidhënës jo-kinezë kushtet e kredive, apo faktin se Kina i kishte shtrënguar t’u jepnin përparësi pagesave për huatë kineze.

Mes kësaj paqartësie në vitin 2020, një grup kredidhënësish jo-kinezë refuzuan thirrjet e dëshpëruara të Zambias për të pezulluar pagesat e interesit, qoftë edhe për disa muaj. Ky refuzim e nxiti më tej varfërimin e rezervave të Zambias në valutë të huaj, një sasi fondesh përgjithësisht në dollarë amerikanë që vendi i përdorte për të paguar interesat për borxhet dhe për të blerë produktet kryesore, si naftën. Deri në nëntor 2020, me rezerva të pakta të mbetura, Zambia ndali pagimin e interesit dhe shpalli falimentin, duke ia mohuar kështu vetes mundësinë e marrjes së kredive të tjera në të ardhmen dhe duke filluar një cikël vicioz të uljes së shpenzimeve dhe thellimit të varfërisë.

Inflacioni në Zambia është rritur që atëherë në 50%, papunësia ka arritur një rekord të 17 viteve të fundit dhe monedha e vendit, kwacha, ka humbur 30% të vlerës së tij në vetëm shtatë muaj. Sipas një vlerësimi të Kombeve të Bashkuara, numri i njerëzve në Zambia që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm është trefishuar këtë vit, në 3.5 milionë.

“Thjesht rri ulur në shtëpi duke menduar se çfarë do të ha, pasi nuk kam para që të blej ushqim”, thotë Marvis Kunda, një vejushë e verbër 70-vjeçare në provincën Luapula. Asaj i hoqën rishtazi ndihmën ekonomike. “Ndonjëherë ha një herë në ditë dhe nëse nuk kujtohet njeri nga lagja të më ndihmojë me ushqim, atëherë thjesht vuaj urinë”.

Pak muaj pasi Zambia shpalli falimentin, studiuesit mësuan se vendi i kishte borxh 6.6 miliardë dollarë bankave shtetërore kineze. Ky është dyfishi i shumës që mendohej në atë kohë dhe është sa një e treta e borxhit të përgjithshëm të vendit.

“Kemi vepruar në terr”, thotë Brad Parks, drejtor ekzekutiv i AidData, një qendër kërkimore në Kolegjin e Uilliamit & Merit, që ka arritur të zbulojë mijëra hua të fshehta kineze dhe që ndihmoi për analizën e agjencisë Associated Press. “Kur shikon nën jastëkët e divanit, papritur kupton se ‘Paska shumë gjëra që nuk i kemi kapur. Dhe se realisht gjërat qenkan shumë më keq’.”

BORXHE DHE TRAZIRA

Mungesa e dëshirës nga Kina për të pranuar humbje nga qindra miliarda dollarët që ka dhënë hua, siç i është kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Banka Botërore, i ka lënë shumë vende të stërmundohen për të paguar interesat. Kjo dëmton rritjen ekonomike, që do t’i kishte ndihmuar për të shlyer borxhin.

Rezervat në valutë kanë rënë në 10 nga dymbëdhjetë vendet që analizoi Associated Press, me një rënie mesatare prej 25% në vit. Ato kanë rënë me mbi 50% në Pakistan dhe Republikën e Kongos. Pa një paketë shpëtimi financiar, shumë vendeve u kanë mbetur vetëm disa muaj rezervash valutore për të paguar për ushqime, karburant dhe mallra të tjera thelbësore që importohen nga jashtë. Mongolisë i kanë mbetur tetë muaj. Pakistanit dhe Etiopisë rreth dy muaj.

“Sapo mbyllen rubinetat financiarë, ndryshimi është i menjëhershëm”, thotë Patrick Curran, ekonomist në firmën kërkimore Tellimer. “Ekonomia tkurret, inflacioni rritet, çmimet e ushqimeve dhe karburantit bëhen të papërballueshme”.

Mohammad Tahir humbi gjashtë muaj më parë vendin e punës në një fabrikë tekstilesh në qytetin pakistanez Multan. Ai thotë se ka menduar vetëvrasjen, pasi nuk mundet më ta shikojë familjen e tij prej katër anëtarësh që të shkojnë në shtrat natë pas nate pa ngrënë darkë.

“Jam përballur me varfërinë më të keqe”, thotë zoti Tahir, të cilit i thanë rishtazi se rezervat në valutë të Pakistanit janë mbaruar dhe se tashmë ishte e pamundur të importoheshin materialet bazë që i duhen fabrikës së tij. “As nuk e dimë se kur mund të na rikthejnë në punë”.

Vendet e varfëra janë goditur edhe më parë nga mungesat e valutës së huaj, inflacioni i lartë, rritja e nivelit të papunësisë dhe uria e gjithëpranishme, por rrallë ka ndodhur si gjatë vitit që lamë pas.

Të kombinuara me keqmenaxhimin e zakonshëm nga qeveria dhe me korrupsionin, pati edhe dy zhvillime të papritura dhe shkatërrimtare: lufta në Ukrainë, e cila ka rritur së tepërmi çmimet e drithit dhe naftës, si dhe vendimi i Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara për të rritur normën e interesit 10 herë me radhë. Rritja më e fundit ndodhi këtë muaj. Kjo i ka bërë papritur shumë më të kushtueshme huatë për vendet e tjera.

Të gjitha këto po trazojnë politikat vendore dhe po u japin fund aleancave strategjike.

Në muajin mars, Hondurasi i zhytur thellë në borxhe përmendi si arsye “trysninë ekonomike” për marrjen e vendimit për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën dhe për të ndërprerë marrëdhëniet me Tajvanin.

Ministri i jashtëm i Hondurasit shtrëngon duart me ministrin kinez pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike (26 mars 2023)
Ministri i jashtëm i Hondurasit shtrëngon duart me ministrin kinez pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike (26 mars 2023)

Muajin e kaluar, Pakistani kishte nevojë aq të madhe për të parandaluar ndërprerjet e furnizimit me energji, saqë arriti një marrëveshje për të blerë naftë me çmim të ulur nga Rusia, duke dalë kështu nga koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara për të bllokuar financimin për Moskën.

Në Sri Lanka, njerëzit dolën në rrugë korrikun e kaluar, u vunë zjarrin shtëpive të ministrave të qeverisë, hynë në pallatin presidencial dhe e detyruan të arratiset udhëheqësin që pati rënë dakort për marrëveshje të rënda me Kinën.

PËRGJIGJA E KINËS

Ministria kineze e Punëve të Jashtme, i dërgoi një deklaratë agjencisë Associated Press, ku kundërshton nocionin se Kina nuk i fal borxhet dhe ku përsërit deklarimet e mëparshme që ja kalojnë fajin Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara. Deklarata thotë se nëse Kina duhet të përmbushë kërkesat e FMN-së dhe Bankës Botërore për të falur pjesë të huave të saj, atëherë po ashtu duhet të veprojnë edhe këto entitete kredidhënëse shumëkombëshe, të cilat Kina i percepton si mjete të Shteteve të Bashkuara.

“U bëjmë thirrje këtyre institucioneve të marrin pjesë aktivisht në veprimet përkatëse, në përputhje me parimin ‘veprim i përbashkët, barrë e përbashkët’ dhe të japin kontribut më të madh për të ndihmuar vendet në zhvillim që të tejkalojnë vështirësitë”, thuhet në deklaratën e ministrisë kineze.

Kina thotë se ka ofruar masa lehtësuese nëpërmjet zgjatjes së afateve të kredive dhe nëpërmjet kredive të emergjencës, si dhe duke marrë pjesë si kontribuesja më e madhe në një program për pezullimin e përkohshëm të pagesave të interesit gjatë pandemisë së koronavirusit. Kina gjithashtu thotë se ka falur 23 hua pa interes të dhëna vendeve afrikane, megjithëse sipas të dhënave që ka zoti Parks i Qendrës AidData, këto kredi ishin përgjithësisht prej dy dekadash më parë dhe përfaqësojnë vetëm 5% të totalit të kredive që ka dhënë Kina.

Në Sri Lanka njerëzit presin anijen kineze të pajisur me mjete përgjimi (16 gusht 2022)
Në Sri Lanka njerëzit presin anijen kineze të pajisur me mjete përgjimi (16 gusht 2022)

Gjatë bisedimeve të nivelit të lartë që u mbajtën në Uashington muajin e kaluar, Kina po shqyrtonte mundësinë e tërheqjes nga kërkesa e saj që FMN-ja dhe Banka Botërore të falnin borxhet, në rast se këta dy kredidhënës do të zotoheshin për të ofruar grante dhe ndihma të tjera për vendet në vështirësi, u tha në disa njoftime të ndryshme. Por në javët që atëherë nuk pati ndonjë njoftim dhe të dyja organizmat kredidhënëse kanë shprehur zhgënjimin e tyre me Pekinin.

“Pikëpamja ime është se duhet t’i tërheqim pas vetes – ndoshta kjo është një fjalë jo shumë e sjellshme – duhet të ecim së bashku”, tha më herët këtë muaj drejtuesja e FMN-së, Kristalina Georgieva. “Sepse nëse nuk veprojmë kështu, do të ketë katastrofë për shumë, shumë vende”.

FMN-ja dhe Banka Botërore thonë se pranimi i humbjeve nga huatë e tyre do të prishte skemën tradicionale të trajtimit të krizave të vendeve sovrane që u jep atyre një trajtim të veçantë, sepse ndryshe nga bankat kineze, ato tashmë financojnë kredi me norma të ulëta interesi për të ndihmuar vendet në vështirësi që të rimëkëmben. Megjithatë, ministria e jashtme kineze vuri në dukje se dy organizatat huadhënëse shumëpalëshe kanë bërë përjashtime nga rregullat në të kaluarën, duke falur hua për shumë vende në mesin e viteve 1990 për t’i shpëtuar nga kolapsi.

Me kalimin e kohës, disa zyrtarë po kërkojnë lëshime.

Ashfaq Hassan, ish-zyrtar për borxhin në Ministrinë e Financave të Pakistanit, tha se barra e borxhit të vendit të tij është shumë e rëndë dhe koha shumë e shkurtër që FMN-ja dhe Banka Botërore të sjellin ndonjë dozë optimizmi. Ai bëri thirrje gjithashtu për lëshime nga fondet e investimeve private që i dhanë hua vendit të tij duke blerë bono.

“Secila palë e interesuar do të duhet të shkojë për t’u qethur”, tha zoti Hassan në mënyrë figurative.

Kina gjithashtu ka refuzuar idenë e popullarizuar gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, se është angazhuar në “diplomacinë e kurthit të borxhit”, duke i lënë vendet të ngarkuara me kredi që nuk mund t’i përballojnë, në mënyrë që të mund të konfiskojë portet, minierat dhe pasuritë e tjera strategjike.

Në këtë pikë, ekspertët që e kanë studiuar çështjen në detaje kanë qenë në anën e Pekinit. Huadhënia kineze është bërë nga dhjetëra banka në pjesën kontinentale të Kinës dhe është shumë e çorganizuar dhe e ngadaltë për të qenë e koordinuar nga lart. Ata thonë se bankat kineze nuk po pranojnë humbje nga kreditë sepse momenti është i papërshtatshëm, pasi po përballen me humbje të mëdha nga kreditimi i pamatur i pasurive të paluajtshme në vendin e tyre dhe nga një ekonomi e ngadalësuar së tepërmi.

Por ekspertët shpejtojnë të vënë në dukje se një rol më pak dashakeq kinez, nuk do të thotë se është më pak i frikshëm.

“Nuk ka asnjë person të vetëm përgjegjës”, tha Teal Emery, ish-analist i huave për shtetet, që tani drejton grupin e këshillimit Teal Insights.

Zoti Parks nga Qendra AidData thotë për Pekinin se, “po improvizojnë gjatë rrugës. Nuk kanë një masterplan”.

HETIMI I KREDIVE KINEZE

Pjesën më të madhe të punës për nxjerrjen në dritë të huave të fshehura kineze e bëri zoti Parks, i cili gjatë dekadës së fundit është përballur me lloje nga më të ndryshme pengesash, fshehjesh dhe mashtrimesh nga qeveria autoritare kineze.

Hulumtimi filloi në vitin 2011 kur një ekonomist i lartë i Bankës Botërore i kërkoi zotit Parks të merrte përsipër punën e shqyrtimit të kredive kineze. Brenda disa muajsh, duke përdorur teknikat e marrjes së të dhënave nga interneti, zoti Parks dhe disa studiues filluan të zbulonin qindra kredi për të cilat Banka Botërore nuk kishte patur dijeni.

Kina në atë kohë po rriste huadhënien që së shpejti do të bëhej pjesë e iniciativës së saj “Një Brez një Rrugë” prej 1 trilioni dollarësh për të siguruar furnizime me mineralet kryesore, për të krijuar aleanca të reja jashtë vendit dhe për të fituar më shumë para nga zotërimet e saj në dollarë amerikanë. Shumë vende në zhvillim ishin të etura për dollarë amerikanë për të ndërtuar termocentrale, rrugë dhe porte dhe për të zgjeruar operacionet e minierave.

Por pas disa vitesh huash të drejtpërdrejta të qeverisë kineze, ato vende e gjetën veten të zhytur në borxhe të mëdha dhe perspektiva ishte e tmerrshme. Ato kishin frikë se grumbullimi i më shumë kredive, mbi kreditë e vjetra do t’i bënte ato të dukeshin të pakujdesshme për agjencitë e vlerësimit të kredisë dhe do ta bënte më të shtrenjtë huamarrjen në të ardhmen.

Kështu Kina filloi të ngrejë kompani guackë për disa projekte infrastrukturore dhe filloi t’ua japë huatë këtyre kompanive, gjë që u mundësoi vendeve me borxhe të mëdha të shmangnin shtimin e borxhit të ri në bilancet e tyre. Edhe nëse kreditë do të mbështeteshin nga qeveria, kjo nuk do të merrej vesh.

Në Zambia për shembull, një hua prej 1.5 miliardë dollarësh nga dy banka kineze për një kompani guackë për të ndërtuar një digë gjigante hidrocentrali nuk u shfaq në regjistrat e kontabilitetit të vendit për vite me radhë.

Në Indonezi, kreditë kineze prej 4 miliardë dollarësh për të ndihmuar në ndërtimin e një hekurudhe gjithashtu nuk u shfaqën kurrë në llogaritë publike të qeverisë. Gjithçka ndryshoi vite më vonë kur, me një buxhet prej 1.5 miliardë dollarësh më shumë nga sa ishte parashikuar, qeveria indoneziane u detyrua ta shpëtonte financiarisht hekurudhën dy herë.

“Kur këto projekte shkojnë keq, ajo që reklamohej si borxh privat bëhet borxh publik”, tha zoti Parks. “Ka projekte të tilla në të gjithë globin”.

Në vitin 2021, një dekadë pasi zoti Parks dhe ekipi i tij filluan hulumtimin e tyre, ata kishin mbledhur informacion të mjaftueshëm për një gjetje madhore: janë të paktën 385 miliardë dollarë borxhe të fshehura kineze në 88 vende, dhe shumë prej atyre vendeve ishin në gjendje shumë më të keqe nga ç’dihej më parë.

Ndër zbulimet ishte se Kina dha një hua prej 3.5 miliardë dollarësh për të ndërtuar një sistem hekurudhor në Laos, që do të merrte gati një të katërtën e prodhimit vjetor të vendit për t’u shlyer.

Një tjetër raport i qendrës AidData në të njëjtën periudhë sugjeroi se shumë kredi kineze shkojnë për projekte në zona të favorizuara nga politikanë të fuqishëm dhe shpesh përpara zgjedhjeve kyçe. Disa nga objektet e ndërtuara kishin pak kuptim ekonomik dhe ishin të shoqëruara nga probleme të shumta.

Në Sri Lanka, një aeroport i financuar nga Kina i ndërtuar në qytetin e lindjes të presidentit, i ndodhur larg nga shumica e popullsisë së vendit, përdoret aq pak sa elefantët janë parë të shëtisin në pistën e tij.

Njerëzit në Sri Lanka duke protestuar mes rritjes së varfërisë (13 korrik 2022)
Njerëzit në Sri Lanka duke protestuar mes rritjes së varfërisë (13 korrik 2022)

Të çara po shfaqen në hidrocentralet në Ugandë dhe Ekuador, ku në mars qeveria mori miratimin gjyqësor për ngritje akuzash për korrupsion të lidhura me projektin, ndaj një ish-presidenti që ndodhet tashmë në mërgim.

Në Pakistan, një termocentral u desh të mbyllej nga frika se mund të shembet. Në Kenia, kilometrat e fundit kyçe të një hekurudhe nuk u ndërtuan kurrë për shkak të planifikimit të dobët dhe mungesës së fondeve.

ANASHKALIMI I PËRPARËSISË SË SHLYRJES SË KREDIVE TË TJERA

Ndërsa zoti Parks shqyrtonte detajet e huave, ai zbuloi diçka alarmuese: ekzistencën e klauzolave që detyronin vendet kredimarrëse të depozitonin dollarë amerikanë, apo valuta të tjera, në llogari sekrete të menaxhuara nga Pekini prej të cilave mund të tërhiqeshin fonde në rast se vendet ndalnin pagesat e interesit.

Praktikisht, Kina kishte kaluar kështu në krye të radhës së përparësisë së kredive, pa i njoftuar huadhënësit e tjerë.

Në Uganda, zoti Parks zbuloi një hua për të zgjeruar aeroportin kryesor që përfshinte një llogari garancie e cila mund të kishte më shumë se 15 milionë dollarë. Një hetim legjislativ kritikoi ministrin e financave për pranimin e kushteve të tilla, me hetuesin kryesor që tha se ministri duhej të ndiqej penalisht dhe të burgosej.

Zoti Parks nuk është i sigurt se sa llogari të tilla janë krijuar, por këmbëngulja e qeverive për çdo lloj garacie, aq më pak garancie në formën e parave të gatshme, është i rrallë në huadhënien për shtetet. Dhe vetë ekzistenca e tyre ka tronditur bankat jo-kineze, investitorët në bonot dhe huadhënësit e tjerë, dhe i ka detyruar ata të mos pranojnë më pak se sa u detyrohen.

“Kreditorët e tjerë thonë: “Nuk do të ofrojmë asgjë nëse Kina është në fakt në krye të radhitjes për shlyerjen”, tha zoti Parks. “Kjo çon në paralizë. Të gjithë po vëzhgojnë njëri-tjetrin dhe thonë: ‘A do të jem unë i mashtruari këtu?’

HUATË SI “SHKËMBIM VALUTOR”

Ndërkohë, Pekini ka filluar një lloj të ri huadhënieje të fshehur që ka shtuar konfuzionin dhe mosbesimin. Zoti Parks dhe të tjerët zbuluan se banka qendrore e Kinës ka dhënë praktikisht dhjetëra miliarda dollarë hua nëpërmjet atyre që duken si shkëmbime të zakonshme të valutës së huaj.

Shkëmbimet e valutës së huaj, të quajtura “swaps”, u mundësojnë në thelb vendeve të marrin borxh monedha të përdorura më gjerësisht, si dollari amerikan, për të plotësuar mungesat e përkohshme në rezervat e valutës. Ato janë të destinuara për qëllime likuiditeti, jo për të ndërtuar objekte, dhe zgjasin për vetëm disa muaj.

Por këto shkëmbime të Kinës imitojnë huatë, duke zgjatur me vite dhe duke vendosur norma interesi më të larta se normalja. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ato nuk shfaqen në kontabilitet si hua, që do të rrisnin totalin e borxhit të një vendi.

Mongolia ka marrë 5.4 miliardë dollarë në shkëmbime të tilla, një shumë e barabartë me 14% të borxhit të saj total. Pakistani mori gati 11 miliardë dollarë në tre vjet dhe Laosi ka marrë hua 600 milionë dollarë.

Shkëmbimet mund të ndihmojnë në shmangien e mospagimit duke rimbushur rezervat valutore, por ato shtojnë më shumë kredi mbi ato ekzistuese dhe mund ta bëjnë kolapsin financiar shumë më të keq, të ngjashëm me atë që ndodhi në prag të krizës financiare të vitit 2009, kur bankat amerikane vazhdonin të ofronin hipoteka gjithnjë e më të mëdha për pronarët e shtëpive që nuk mund të përballonin as nivelin fillestar.

Disa vende të varfra që po vështirësohen të shlyejnë huatë e Kinës tashmë e gjejnë veten të mbërthyer në një qark vicioz: Kina nuk tërhiqet për të pranuar humbje nga kreditë dhe FMN-ja nuk do të ofrojë kredi me interes të ulët nëse paratë do të paguajnë thjesht interesat për borxhin kinez.

Për Çadin dhe Etiopinë, ka më shumë se një vit që kur paketat e shpëtimit të FMN-së u miratuan me të ashtuquajturat marrëveshje në nivel pune, por pothuajse të gjitha fondet janë pezulluar ndërsa negociatat mes kreditorëve ende vazhdojnë.

“Kemi një numër në rritje vendesh që janë në vështirësi të mëdha financiare”, tha zoti Parks, duke e parë këtë kryesish si rezultat të rritjes befasuese të Kinës gjatë vetëm një gjenerate – nga statusi i një përfituesi neto nga ndihmat e huaja, tek statusi i kreditorit më të madh në botë.

“Në një farë mënyre ata kanë arritur t’i bëjnë të gjitha këto larg syrit të opinionit publik”, tha ai. “Pra, nëse njerëzit nuk kuptojnë se si Kina jep hua, si funksionojnë praktikat e saj të huadhënies, kurrë nuk do t’i zgjidhim këto kriza”.

Go to TOP