Vasfije Krasniqi-Goodman sqaron largimin nga politika
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka sqaruar sonte në një intervistë arsyet që çuan në largimin e saj nga jeta politike. Ajo theksoi se vendimin për të hyrë në politikë e kishte marrë me vullnet të plotë dhe vetëdije të qartë, ndërsa largimi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe politika erdhi si pasojë e gjendjes shëndetësore dhe distancës nga familja.
“Nuk kam dalë nga politika për asnjë arsye tjetër. Kam hyrë në VV me dëshirën time dhe me vetëdije të plotë. Kam dalë për shkak të shëndetit dhe largësisë nga familja,” deklaroi Krasniqi-Goodman.
Ajo shtoi se edhe sot ruan marrëdhënie shumë të mira me Kryeministrin Albin Kurti, ashtu si edhe me të gjithë liderët politikë në vend duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe respektit të ndërsjellë.
“Secili lider ka vënë nga një gur në themelin e shtetndërtimit. Të gjithë janë përpjekur të bëjnë më të mirën për Kosovën, edhe pse gjithmonë ka vend për të bërë më mirë. E rëndësishme është të mos anashkalojmë unitetin për një Kosovë më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë,” theksoi ajo.
Krasniqi-Goodman është një nga zërat më të njohur për të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe angazhimi i saj politik ishte i lidhur ngushtë me këtë çështje. /Kosova.info/
