Ushtria izraelite thotë se e vrau edhe një komandant të lartë të Hezbollahut
Ushtria izraelite njoftoi të martën se e ka vrarë edhe një komandant të lartë të Hezbollahut, një ditë, pasi e shënoi njëvjetorin e sulmit të Hamasit ndaj shtetit hebraik që vrau më shumë se 1.200 njerëz.
Suhail Husseini, i cili ishte përgjegjës për buxhet, logjistikë dhe menaxhim të grupit të mbështetur nga Irani, u vra nga një sulm i kryer më 7 tetor, thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në një komunikatë.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
“Husseini luajti rol kyç në transferimin e armëve mes Iranit dhe Hezbollahut”, thuhet në komunikatë.
Ai ishte përgjegjës edhe për shpërndarjen e armëve të avancuara tek anëtarët e grupit dhe për “projektet më të ndeshje” të grupit, që përfshinin edhe operacionet kundër Izraelit.
Husseini ishte gjithashtu anëtar i Këshillit të Xhidahit të Hezbollahut, organi më i lartë ushtarak i grupit, tha IDF-ja.
Hezbollahu nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij deri tani.
Njoftimi për vrasjen e tij vjen një ditë pasi militantët palestinezë në Gaza lëshuan një breshëri raketash drejt Izraelit më 7 tetor, ku presidenti izraelit Isaac Herzog udhëhoqi një minutë heshtje kombëtare për të shënuar fillimin e sulmit të Hamasit vitin e kaluar, i cili filloi në Kibbutz Reim në jug të vendit.
Hamas është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian.
Në Uashington, presidenti amerikan Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris dënuan Hamasin në përvjetorin e sulmit, ndërsa ritheksuan përkushtimin e administratës amerikane për arritjen e marrëveshjeve për armëpushim për t’i dhënë fund luftërave në Gazë dhe në Liban.
Në Jerusalem, të afërmit e rreth 100 pengjeve që ndodhen ende në robërinë e Hamasit, shumë prej të cilëve besohet se janë të vdekur, u mblodhën pranë rezidencës së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe qëndruan në heshtje në shenjë proteste ndaj asaj që të afërmit e quajnë dështim të Qeverisë për t’i liruar më të dashurit e tyre.
Pas sulmit të 7 tetorit, Izraeli nisi një luftë Gazë, ku i ka vrarë afro 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.
Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut.
Në javët e fundit, Izraeli i ka bombarduar qarqet jugore të Bejrutit dhe është duke kryer inkursion tokësor në jug dhe jugperëndim të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar Hezbollahun.
Izraeli e ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe me gjasë edhe pasuesin e tij të mundshëm, Hashem Safieddine.