Ukraina dënon dëbimin e qytetarëve të saj nga Hersoni dhe rajonet e tjera

Rusia po dëbon qytetarë ukrainas nga Hersoni, Zaporizhja, Luhansku dhe Donjecku.

Kështu tha ministria e Jashtme e Ukrainës, e cila dënoi ashpër dëbimin e qytetarëve ukrainas nga rajonet e pushtuara nga Rusia në jug dhe juglindje të vendit.

“Administrata pushtuese ruse ka filluar zhvendosjen masive me forcë të banorëve të bregut të majtë [të lumit Dnieper] të rajonit Herson…në territorin e Krimesë së pushtuar përkohësisht ose në Federatën Ruse”, tha ministria në një deklaratë më 3 nëntor.

Deportime të ngjashme po kryhen nga Rusia edhe në Krime, tha ministria.

Volodymyr Saldo, kreu i rajonit të Hersonit, i emëruar nga Rusia, njoftoi më 31 tetor vazhdimin e asaj që ai e ka quajtur evakuim të qytetarëve ukrainas.

Ai tha se po i zhvendosnin njerëzit për shkak të rreziqeve të një “sulmi masiv raketor”.

Eksod nga Hersoni para afrimit të forcave ukrainase
FotogaleriEksod nga Hersoni para afrimit të forcave ukrainase

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Lufta, që ka hyrë në muajin e nëntë, ka lënë të vrarë mijëra persona, miliona të tjerë janë zhvendosur dhe janë shkatërruar qytete dhe vendbanime.

Moska e cilëson pushtimin e Ukrainës si “operacion të posaçëm ushtarak”.

Go to TOP