UEFA lanson strategjinë e re për futbollin e vajzave

UEFA e ka lansuar strategjinë e re për zhvillimin e futbollit të vajzave dhe grave, të titulluar ‘Unstoppable’ (E pandalshme) për periudhën 2024–2030.

Kjo strategji përfaqëson një angazhim të qëndrueshëm dhe vizion të guximshëm për të çuar lojën e femrave në një nivel të ri deri në vitin 2030, përmes investimeve të shtuara dhe projekteve që mbështesin zhvillimin afatgjatë të këtij sporti.

“FFK, në linjë të plotë me këtë përkushtim të UEFA-s, tashmë ka nisur implementimin e strategjisë së saj për futbollin e vajzave dhe grave, të prezantuar pikërisht sot një vit dhe e cila mbulon periudhën 2024–2028, e që është hartuar në koordinim të plotë me UEFA-n. Kjo strategji kombëtare është një përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për futbollin e femrave në Kosovë, duke ndjekur shembullin dhe orientimin e strategjisë “Koha për Veprim” të UEFA-s (2019–2024) dhe duke e thelluar më tej përmes nismës së fundit ‘Unstoppable’. Vitet e fundit, FFK ka bërë përparime të mëdha në zhvillimin e futbollit të vajzave dhe grave në vend. Në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n dhe FIFA-n, janë zbatuar projekte të shumta që kanë krijuar mundësi të reja për lojtaret, trajneret dhe gjyqtaret kosovare. Përmes këtyre projekteve të mbështetura, kemi parë rritje të ndjeshme në numrin e vajzave që marrin pjesë në futbollin e organizuar, si në nivel amator ashtu edhe në atë profesional”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sipas këtij njoftimi, falë investimeve të FFK-së përmes projekteve nga UEFA dhe FIFA, janë krijuar programe edukimi për trajneret dhe gjyqtaret e reja, janë organizuar evente të dedikuara për futbollin e femrave dhe është investuar në përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme. Një pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë fokusohet edhe në mbështetjen e futbollit të vajzave/grave në nivelin e bazik, duke e forcuar kësisoj numrin e ekipeve dhe lojtareve të reja.

“Në lansimin e strategjisë së re ‘Unstoppable’ presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, theksoi rëndësinë e madhe që ka mbajtja e vlerave autentike të sportit tonë dhe ruajtja e lidhjes mes nivelit bazë dhe atij elitar të futbollit. Ky angazhim i ri është një ftesë për të gjithë ne që të bashkëpunojmë në ngritjen e futbollit të vajzave dhe grave dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për brezin e ardhshëm të lojtareve, trajnereve, gjyqtareve dhe tifozeve të futbollit”, thuhet tutje në njoftimin e FFK-së.

FFK shpreh falënderimin për mbështetjen e pandërprerë nga UEFA dhe FIFA, të cilat kanë qenë thelbësore për zhvillimin e futbollit të femrave në Kosovë dhe vazhdon të jetë e përkushtuar në realizimin e strategjisë së saj për këtë sport. Me besimin se futbolli i vajzave dhe grave është vërtet i pandalshëm, FFK angazhohet të vazhdojë përpjekjet për të ngritur më tej nivelin e lojës dhe për të krijuar më shumë mundësi për vajzat dhe gratë e Kosovës që të ndjekin pasionin e tyre për futbollin.

Go to TOP