U zhvilluan ndeshjet e javës së shtatë në superligë M&F dhe dy xhirot e para të play – offit në ligën e dytë

Pas përfundimit të suksesshëm të WTT Youth Contender  dhe WTT Feeder Prishtina 2024, FPPK vazhdon me mbajtjen e aktiviteteve të rregullta.

Dje, në Prizren u zhvillua java e shtatë e Superligës së meshkujve në të, cilat nuk mungoi rivaliteti dhe befasia. Paysera Dardania, kampioni i dikurshëm, e befasoi Pripingun, njërin nga kandidatët e derisotëm për titullin e më të mirit, duke e mundur me rezultat të ngushtë 4:3. Përforcimi i Dardanisë nga Shqipëria Aron Koni, shënoi fitoren vendimtare ndaj Elvedin Çollakoviqit. Paysera ishte afër që ta befasonte edhe liderin dhe kampionin aktual Lidhjen e Prizrenit, por në duelin vendimtar Fatih Karabaxhaku e mundi Murat Kurtulushin dhe arriti ta ruajë kryesimin në renditje. Fitoren e dytë Lidhja e Prizrenit e arriti ndaj Prishtinës me 4:0. Pripingu arriti një fitore ndaj Prishtinës me 4:3, kurse më herët Liria e kishte mundur Shkolla Prizrenit me 4:0.

Në Superligën e femrave, që u luajt në Ferizaj, favoritët shënuan fitore, përveç Junikut që u mund nga Shpresa me 4:1

Drita fitoi ndaj Vushtrrisë dhe Ahmet Hoxhës MK me nga 4:0, Ahmet Hoxha F ndaj rivalit lokal A.Hoxha MK dhe Vushtrrisë me nga 4:0, sikur edhe Prishtina ndaj Istogut dhe Junikut.

Të dielën e ardhshme ka ngelur të zhvillohet edhe xhiroja e fundit, si në Superligën e femrave ashtu edhe në atë të meshkujve kur do të dihet renditja përfundimtare.

Ndërsa në ShFMU “Gjon Sereqi” në Ferizaj, janë zhvilluar dy xhirot e para të Play-offit në Ligën e Dytë. Në garë për dy vendet e para të cilat shpien në Ligën e Parë, kanë filluar garimin ekipet më të mira të Ligës së Dytë. Nga dy fitore të sigurta kanë shënuar Bashkimi nga Prizreni dhe Shkolla nga Prishtina, kurse nga një fitore kanë shënuar Istogu ndaj Vitisë me 3:2 dhe TTC Ferizaj po ashtu ndaj Vitisë me 3:2. Tri xhirot e fundit do të zhvillohen javën e ardhshme. /Kosova.info/

Go to TOP