Kosovarët ua shtojnë milionat kompanive të Serbisë nën pushtetin e Albin Kurtit

Ekonomia kosovare nuk është se i ka marr këmbët dhe krejt kjo sepse akoma nuk është ‘çliruar’ nga importi i dukshëm i mallrave. Edhe pse ‘armiq’ në politikë, në tregti bilanci po shënon shifra pozitive. Këtë e ilustrojnë mirë edhe të dhënat e fundit nga ASK dhe Dogana, të cilat tregojnë se vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2022, importi nga Serbia ka qenë rreth 276 milionë euro.
Shifrat si më lart, për ekonomistin Jakup Bellaqa tregojnë se tregtia e Kosovës vazhdon të jetë e varur shumë nga shteti serb.
Më e rrugës, sipas Bellaqës do të ishte që Kosova të fillonte eksportin e jo të ketë primar tregun e Serbisë, vend ky që nuk ja njeh sovranitetin ekonomik dhe juridik.

“Pozitive do të ishte kur vendi ynë do të eksportonte më shumë me ketë vend se sa të importonte sepse në ketë situatë ekonomia e këtij vendi fuqizohet sepse e shfrytëzon si treg për shitjen e mallrave të veta, ndërsa ana negative e ekonomisë së Kosovës, në ketë situate të tregut, është se ne jemi ende të varur apo e kemi primare tregun e këtij vendi e cila nuk po na njeh sovranitetin ekonomik dhe juridik”, ka thënë ai për Syri net Kosova.

Po ashtu, Bellaqa propozon që Kosova të orientoj tregun kah Shqipëria madje të formohet një treg kombëtar.

“Andaj, ne do të duhej të gjejmë rrugë të reja, të jemi të orientuar nga tregut i Shqipërisë, dhe të shkojmë drejt formimit të një tregu kombëtar duke i hequr të gjitha barrierat doganore dhe administrative dhe të kemi politika publike makroekonomike të unifikuar me terma real të ekonomisë dhe të kemi bashkëpunim nder institutiocional më të frytshëm, produktiv dhe rezultativ”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër është prodhuesi Burim Piraj ai që po e ‘lufton’ këtë fenomen përmes fushatave të ndryshme vetëdijësuese.

Piraj duke folur për Syri net Kosova po vlerëson se importi do të ishte dy fish më i lartë nëse grupi ‘Besa-Besë’ do ndalonte aktivitetin.

“Mendoj se ne si grup “Besa-Besë” me grupin virtual që e kemi në facebook “MosBliProdhimeSerbe” kemi pas ndikim të konsideruar, dhe po të mos ishte fushata e jonë, kjo shifër do të ishte shumë më e madhe. Besoj se, dhe në realitet kjo shifër është shumë më e vogël se vitin e kaluar nëse do të bënim krahasimin në kilogram, por për arsye se çmimet kanë pas rritje, me më pak kilogram ka mjaftë vlerë milionëshe monetare”, ka thënë ai.

Sipas Pirajt, kosovarët janë popull i pavetëdijshëm përderisa blejnë produkte serbe. Po ashtu, ai akuzon tregtarët për mungesë atdhedashurie të cilët për para po e fuqizojnë Serbinë, ndërsa ajo po blen armë për ta kërcënuar vendin tonë.

“Kur është fjala tek deficiti në mes Kosovës dhe Serbisë këtu shihet se sa të pa vetëdijshëm janë populli ynë kur blen prodhime të atyre, që prodhimet tona nuk i blejmë për asnjë çmim. Po edhe tregtarët e tyre nuk i importojnë e as nuk interesohen për prodhimet “Made In Kosova”, derisa tregtarët tanë të zhveshur nga atdhedashuria vrapojnë pas pasurisë që krijojnë me import qoftë edhe të atyre gjërave që bien ndesh me sigurinë dhe mirëqenien e vendit tonë dhe me paratë që shkojnë në buxhetin e Serbisë e forcojnë ekonominë e cila e financon ushtrinë e tyre dhe na kërcënojnë neve në vazhdimësi. Unë kam shumë shpresë, se popullata jonë do të vetëdijesohet një ditë, ashtu që edhe pas pranimit të pavarësisë sonë se le më tani, të mos blenë asnjë gjë të vetme “Made in Serbia”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që prej heqjes së tarifës 100% të vënë në 2019 dhe nismës graduale për reciprocitet në 2020, importi i mallrave nga Serbia në Kosovë ka shënuar rikuperim të shpejtë. Nëse vazhdon ky trend i importit, parashihet që në vitin 2024 lehtësisht mund të kalohet rekordi i vitit 2017, ku gjatë gjithë vitit kishte rreth 450 milionë euro mallra të importuara nga Serbia.

Go to TOP