Trupi i pajetë në IML është i Faton Hajrizit
Drejtori i Departamentit të Laboratorëve Mjeko-Ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Agron Thaçi, ka thënë se trupi i Faton Hajrizit tanimë është identifikuar edhe nga familjarët e tij.
“Këtë po e deklarojmë pas urdhrit që është bërë nga Prokuroria, respektivisht nga prokurori përgjegjës. Është identifikuar nga familjarët e rastit në pranimin e mjekut kujdestar”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se është formuar një komision për autopsi, dhe pas autopsisë trupi i pajetë lirohet për familjar.
“Realisht për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe rrethanave, në konsultim edhe me drejtorin e përgjithshëm kemi formuar një komision tre antarësh prej ekspertëve mjekoligjorë që do të kryejnë autopsinë në prani të prokurorit dhe familjarëve. Trupi i pajetë pas autopsisë do t’ju dorëzohet familjarëve”, ka thënë ai.
Familjarë të Faton Hajrizit po qëndrojnë tek Instituti i Mjekësisë Ligjore
Familjarë të Faton Hajrizit kanë qëndruar sot tek Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Trupi i Faton Hajrizit është kthyer në Kosovë dhe është sjell në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij.
