Trupi Gjykues miraton tërheqjen e Gregory Kehoet nga mbrojtja e Thaçit
Trupi Gjykues e ka miratuar tërheqjen e avokatit Gregory Kehoe si kryembrojtës i Hashim Thaçit në Hagë.
“Më 14 shkurt 2024, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët miratoi tërheqjen e Gregori Kihou si kryembrojtës i Hashim Thaçit”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
“Ky vendim hyn në fuqi kur Administratorja cakton bashkëmbrojtësin e ri. Duke marrë parasysh se Thaçi dhe Lluka Mishetiq (aktualisht njëri nga bashkëmbrojtësit e Thaçit) u pajtuan që Mishetiqi të zëvendësojë Kihoun, Trupi Gjykues ftoi palët dhe Administratoren që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të caktuar Mishetiqin si kryembrojtës të Thaçit sa më shpejtë që të jetë e realizueshme”.
Ata po ashtu e kanë miratuar edhe tërheqjen e avokatit tjetër, Xho Rider.
“Trupi Gjykues miratoi gjithashtu tërheqjen e bashkëmbrojtësit të Thaçit, Xhoe Rider, ndërsa udhëzoi Administratoren që të marrë vendim në lidhje me kërkesën për tërheqjen e tre ndihmësve juridikë dhe pesë ndihmësve administrative të ekipit”.
“Së fundi, Trupi Gjykues shqyrtoi kërkesën e Kihout për pagimin e shpenzimeve nga DHSK-ja gjatë periudhës kalimtare, d.m.th. pas caktimit të mbrojtësit të ri. Trupi Gjykues vuri në dukje se Administratorja mund të vendosë të udhëzojë Kihoun që të vazhdojë të veprojë ose të ndihmojë mbrojtësin zëvendësues (për një periudhë prej 45 ditësh), por, duke marrë parasysh se mbrojtësi i ri nuk është caktuar ende dhe Administratorja nuk ka lëshuar këto udhëzime për Kihoun, Trupi Gjykues konstatoi se kërkesa është e parakohshme në këtë fazë dhe rrjedhimisht e hodhi poshtë”.
