Trump njofton tarifë globale 10% pas vendimit të Gjykatës së Lartë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e konsideroi vendimin e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar tarifat e tij të gjera si “thellësisht zhgënjyes” dhe njoftoi vendosjen e një tarife të re globale prej 10% mbi importet.

Gjykata, me shumicë 6-3, vendosi se Trump kishte tejkaluar autoritetin duke përdorur Ligjin për Fuqitë Emergjente Ekonomike Ndërkombëtare (IEEPA), dhe se për vendosjen e taksave mbi importet është i nevojshëm miratimi i Kongresit.

Trump tha se do të përdorë ligje të tjera për të vendosur tarifat, përfshirë Seksionin 122 të Ligjit të Tregtisë të vitit 1974, i cili lejon vendosjen e tarifave deri në 15% për 150 ditë pa miratimin e Kongresit. Vendimi i Gjykatës nuk prek tarifat ndaj vendeve ose produkteve të veçanta.

Bizneset amerikane e përshëndetën vendimin, duke e konsideruar atë një lehtësim, pasi tarifat e mëparshme kishin shkaktuar humbje të mëdha të të ardhurave dhe paqartësi në planifikimin e tyre.

I pari i shtetit sulmoi gjykatësit që votuan kundër tij, duke i cilësuar “politizuar” dhe “të ndikuar nga interesat e huaja”, ndërsa mbrojti gjykatësit që ishin në pakicë dhe votuan pro tarifave.

Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi menjëherë, ndërsa çështja e rimbursimit të tarifave të mëparshme, që arrijnë rreth 130 miliardë dollarë, mund të zgjatet në gjykatë për vite.

Bizneset shpresojnë që tarifat e reja, të vendosura përmes proceseve më të rregullta ligjore, do t’u japin më shumë parashikueshmëri dhe mundësi për planifikim. /Burimi: BBC/


Go to TOP