Trump i siguruar, derisa FBI heton atentatin e mundshëm

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ishte shënjestër e, mesa duket, një përpjekjeje për ta vrarë, tha Byroja Federale e Hetimeve, FBI.

Incidenti ndodhi pranë një prej klubeve të tij të golfit në Florida, vetëm nëntë javë pasi Trump, kandidat i Partisë Republikane për president, i mbijetoi një tjetër atentati në një tubim parazgjedhor në Pensilvani.

Policia tha përmes një deklarate se Trump “është i siguruar dhe i padëmtuar nga atentati i mundshëm”.

Fushata e Trumpit tha, gjithashtu, se kandidati 78-vjeçar është mirë, pas të shtënave me armë në afërsi të tij.

Autoritetet thanë se kanë arrestuar një të dyshuar, i cili është dërguar në paraburgim. Ato nuk e bënë publik emrin e tij, por mediat amerikane, si CNN, Fox News, CBS News dhe The New York Times, e identifikuan atë si Ryan Wesley Routh, 58-vjeçar, aktualisht me banim në Havaje.

Sipas të dhënave publike, Routh është punëtor ndërtimi, me një histori të gjatë shkeljesh. Ai është zhvendosur nga Karolina e Veriut në Havaje disa vite më parë dhe ka shprehur mbështetje për Partinë Demokratike në ShBA dhe për Ukrainën në faqet e tij në mediat sociale.

Agjentët e Shërbimit Sekret, të pozicionuar pranë fushës ku Trump po luante golf, vunë re grykën e një pushke të tipit AK, që po depërtonte në shkurret përreth, afërsisht 400 metra larg nga ish-presidenti.

Një agjent qëlloi dhe i armatosuri hodhi pushkën dhe iku me një makinë, duke lënë armën e zjarrit, së bashku me dy çanta shpine dhe një kamerë, tha sherifi i qarkut Pallm Biç, Ric Bradshaw.

I dyshuari u ndalua më vonë nga forcat e rendit në një qark fqinj.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se në ShBA “nuk ka vend për dhunë politike apo ndonjë dhunë tjetër”.

“Unë kam urdhëruar ekipin tim të vazhdojë të sigurohet që Shërbimi Sekret ka burime, kapacitete dhe masa aktive për të garantuar sigurinë e vazhdueshme të ish-presidentit”, tha Biden përmes një deklarate.

Incidenti ndodh rreth 50 ditë para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në ShBA.

Në ato zgjedhje, Trump do të përballet me rivalen demokrate, Kamala Harris, aktualisht nënpresidente.

Harris tha se “është informuar për raportet për të shtëna me armë zjarri pranë ish-presidentit Trump dhe pronës së tij në Florida”.

“Jam e lumtur që është mirë. Dhuna nuk ka vend në Amerikë”, shkroi Harris në platformën X.

Në muajin korrik, një burrë qëlloi Trumpin nga një distancë e largët, teksa ai mbante një tubim parazgjedhor në Pensilvani. Ish-presidenti u plagos lehtë në veshin e djathtë, ndërsa një spektator në turmë mbeti i vrarë.

Edhe para këtij atentati, në ShBA ka pasur shqetësime në rritje për përshkallëzimin e dhunës politike, si pasojë e përçarjeve të thella në shoqëri për çështje si: imigracioni, aborti dhe kontrolli i armëve.

Go to TOP