Trump: Brenda këtij viti do takohem me Kim Jong-un

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, potencialisht brenda këtij viti.

Këtë deklaratë Trumpi e bëri gjatë pritjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të Koresë së Jugut, Lee Jae Myung.

Trump e përshkroi marrëdhënien e tij me Kim Jong-un si “shumë të mirë”, duke thënë se do të takohet me të “në një të ardhme të përshtatshme”, që mund të ndodhë qysh këtë vit, shkruan RTSH.

“Po takohem me shumë njerëz. Është e vështirë të thuhet, por do të doja ta takoja atë këtë vit,” u shpreh Trump për gazetarët, duke e quajtur Korenë e Veriut “një vend me potencial të madh, potencial të jashtëzakonshëm.”

Ai shtoi se ka kaluar shumë kohë me Kim, duke diskutuar “gjëra që ndoshta nuk duhet t’i diskutojmë”, dhe se ka një marrëdhënie të mirë me të.

Gjatë samitit, Trump shprehu dëshirën për të bashkëpunuar me Presidentin Lee për të hapur një rrugë të re drejt paqes në Gadishullin Korean.

Lee, nga ana e tij, i tha Trump se shpreson që presidenti amerikan të luajë rolin e “paqebërësit” për të sjellë stabilitet në rajon.

“Ne mendojmë se mund të bëjmë diçka në këtë drejtim për Korenë e Veriut dhe të Jugut, dhe mendoj se ju jeni më i prirur për ta bërë këtë sesa liderët e tjerë të Koresë së Jugut me të cilët kam punuar”, tha Trump.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte prania e forcave ushtarake amerikane në Korenë e Jugut, ku Trump kërkoi pronësinë e tokave ku ndodhen bazat ushtarake amerikane që strehojnë rreth 30,000 trupa.

“Një nga gjërat që do të doja të bëja është t’u kërkoja atyre të na japin pronësinë e tokës ku kemi fortesën e madhe” tha Trump, duke shtuar se dëshiron të shndërrojë qiranë në pronësi të plotë të këtyre bazave të mëdha ushtarake.

Në fushën ekonomike, Presidenti Lee shprehu angazhimin e Koresë së Jugut për t’u bashkuar me “rilindjen” e industrisë amerikane të ndërtimit të anijeve dhe prodhimit.

Nga ana tjetër, Trump theksoi se Koreja e Jugut mund të jetë një partner kyç për ringjalljen e industrisë amerikane të ndërtimit të anijeve.

“Po mendojmë të kontraktojmë disa anije. Ato ndërtohen shumë mirë në Korenë e Jugut. Ata po mendojnë gjithashtu të vijnë në vendin tonë me disa kantiere për të na ndihmuar të fillojmë procesin e ndërtimit të anijeve” tha Trump, duke shtuar se planifikon që anijet të ndërtohen në SHBA me punëtorë amerikanë.

Të dy liderët diskutuan gjithashtu bashkëpunimin trepalësh mes Seulit, Uashingtonit dhe Tokios. Lee theksoi se, pas samitit të tij të fundit me kryeministrin japonez Shigeru Ishiba, shumë pengesa në marrëdhëniet Kore-Japoni janë hequr, duke hapur rrugën për bashkëpunim të mëtejshëm mes tre vendeve.


Go to TOP