Trepça mund Prishtinën, fiton edhe Rahoveci dhe Kastrioti
Me zhvillimin e tri ndeshjeve të dielën mbrëma, është përmbyllur stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll.
Ndeshja kryesore e xhiros së 14-të ishte derbi mes Trepçës dhe Prishtinës, i zhvilluar në palestrën “Minatori”, ku vendasit triumfuan me rezultat 35:30.
Më i dalluari te Trepça ishte Ermir Smaka me nëntë gola të shënuar, ndërsa Ermir Januzi realizoi shtatë. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Amar Mujka dhe Matheus Henrique, të cilët shënuan nga gjashtë gola secili.
Te Prishtina, më efikasët ishin Albi Gjuka dhe Enis Kuleta me nga shtatë gola, ndërsa Erion Bajramaj realizoi gjashtë dhe Gent Bajrami pesë gola.
Në dy ndeshjet e tjera të zhvilluara po të dielën, kampioni në fuqi, Rahoveci, shënoi fitore bindëse ndaj Llapit me rezultat 51:26, ndërsa Kastrioti triumfoi ndaj Vushtrrisë me shifrat 53:28.
Pas përfundimit të stinorit vjeshtor, në krye të tabelës renditen Besa Famgas, Rahoveci dhe Kastrioti me nga 24 pikë. Vëllaznimi mban pozitën e katërt me 13 pikë, i ndjekur nga Trepça në vendin e pestë me 12 pikë.
Llapi renditet i gjashti me tetë pikë, Prishtina e shtata me shtatë pikë, ndërsa Vushtrria mbyll tabelën pa asnjë pikë.
