Trajneri i Sporting flet për Gyokeres: Lojtarët shkojnë, klubi mbetet
Trajneri i Sporting Lisbonës, Rui Borges, ka thënë se lojtarët shkojnë, por klubi mbetet, duke reaguar për herë të parë pas largimit të sulmuesit kryesor Viktor Gyokeres drejt Arsenal.
“Lojtarë të mëdhenj kanë kaluar nga Sporting, të gjithë vijnë e shkojnë, por klubi mbetet, me madhështinë dhe nevojat e tij”, ka deklaruar Borges për SPORTV.
Tekniku portugez ka shtuar se tashmë është koha për të parë përpara: “Ne po përgatitemi me një qasje të re, një mënyrë të re të të menduarit, por gjithmonë me objektivin për të qenë konkurrues”, është shprehur ai.
Gyokeres është transferuar te Arsenal për një shumë që mund të arrijë deri në shtatëdhjetë e dy milionë euro me bonuse.
Borges ka thënë se është krenar për atë që sulmuesi ka arritur në Lisbonë.“Ai ishte i rëndësishëm në dy sezonet e fundit te Sportingu. I jemi mirënjohës, por tani është koha të shikojmë përpara dhe të forcojmë grupin me lojtarët që kemi”, ka theksuar ai.
Gyokeres është prezantuar tashmë si lojtar i Arsenalit, duke marrë fanellën legjendare me numrin 14.
