Rama për testimin e qarkores: Kemi bërë identifikimin e fyteve të ngushta

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar edhe një herë për testimin e shndërrimit të unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet, i cili këtë të premte bllokoi tërësisht rrugët.

Në një postim në Facebook, Rama ka shkruar se një testim i tillë në ditë pune u ka mundësuar të identifikojnë fytet e ngushta në rrugë.

Rama ka thënë se kanë pranuar edhe mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare “për komunikacionin e ngarkuar të kryeqytetit tonë”.

“Të gjitha propozimet dhe shqetësimet jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë bashkë me stafin tim”, ka shkruar mes tjerash i pari i Prishtinës.

Ai ka pasur mesazh edhe për qytetarët e shumtë që u frustruan nga testimi i ditës së sotme.

“E kuptoj plotësisht frustrimin e shumë qytetarëve rreth këtij testimi. Unë dhe stafi përgjegjës i Komunës bashkëndjejmë me ju. Pavarësisht këtij frustrimi të shprehur, ju falënderoj përzemërsisht për durimin që treguat sot”, ka shkruar Rama.

Ai ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës për mbajtjen e rendit dhe qetësisë.

Ndërsa, ka këmbëngulur se testime të tilla po bëhen për qëllimin më të mirë të mundshëm për qytetarët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të cilët punojnë e vizitojnë kryeqytetin.

Kjo është hera e tretë që bëhet testimi i unazës qendrore të kryeqytetit, por hera e parë që bëhet në ditë pune.

Në mëngjes qytetarët për orë të tëra u përballën me kaos në trafik për shkak të kolonave të gjata si rezultat i këtij ‘eksperimenti’ të komunës. E situatë e tillë ngjau edhe pasdite, duke shkaktuar tensionim te qytetarët.

Testimi do të zgjasë tri ditë radhazi dhe i gjithë procesi do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

Go to TOP