Tentim vrasje në Podujevë, shkak ishte “hidhërimi nga një rast i mëhershëm”
Një burrë është arrestuar mbrëmë në Podujevë pasi kishte gjuajtur në drejtim të një burri tjetër. Policia në raportin 24 orësh thotë se shkak ishte “hidhërimi nga një rast i mëhershëm”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, në shenje hidhërimi me një rast të mëhershëm. Nuk raportohet për të lënduar. Në vendin e ngjarjes është konfiskuar arma e zjarrit Glock 17 me një karikator dhe 15 fishek dhe 3 gëzhoja”.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
