Tensionet e Serbisë me Malin e Zi, Vuçiç bën “një hap pas”: Nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të tyre
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë një vizite për të parë nga afër punimet përfundimtare në urën mbi Mllavë në Petrovac të Mllavës, tha se do të presë derisa të formohet qeveria malazeze dhe si do të zhvillohen gjërat dhe më pas do të komentojë lidhur me marrëdhëniet e tensionuara me këtë shtet.
I pyetur nga një gazetar se çfarë mesazhi paraqet fakti që në qeverinë e re të Malit të Zi nuk do të ketë përfaqësues të serbëve dhe do të ketë përfaqësues të partisë së Milo Gjukanoviç, Vuçiç tha se nuk dëshiron të ndërhyjë në brendësi të punëve të Malit të Zi. “Ne do të merremi me çështjen e popullit tonë dhe të veprimit politik, por fillimisht duhet të formohet një qeveri. Ne e respektojmë Malin e Zi, e vlerësojmë dhe do të presim se si do të shkojnë gjërat, pastaj do të komentojmë”, tha Vuçiç.
Përgjigja e tij erdhi pak ditë, pas deklaratave të presidentit malazez, Jakov Milatoviç, se ndërhyrjet sebe në process ishin krejtësisht “të papranueshme”. Ai tha se legjislatura e 28 e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë mbartës të sovranitetit. “Pres që formimi i qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirisht të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare, si dhe në përparësitë programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE, rritjen e standardeve të jetës si dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës”, tha Milatoviç.
Komenti i presidentit malazez pasoi deklaratat e zyrtarëve të Beogradit për përfaqësimin e serbëve në qeverinë e re të Malit të Zi si dhe deklaratat e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Milosh Vuçeviç, i cili kërcënoi Malin e Zi dhe RMV, lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
