Temperaturat e larta, apelohet për më shumë kujdes 

Të enjten zyrtarisht kemi hyrë në stinën e verës. Siç edhe ishte paralajmëruar nga meteorologët, temperaturat maksimale kanë arritur 35 deri 36 gradë celsius. Për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë këto ditë në Kosovë, apelohet për më shumë kujdes sidomos për fëmijë dhe nga të moshuarit.

70-vjeçari Zylqefli Sherifi nga Prishtina, ditët e nxehta i kalon duke u munduar të gjejë vende më të freskëta.

“Kam ardhur këtu po freskohem, mëngjes dalim me ecë, mesditë brenda në shtëpi. Gjithmonë jam i kujdesshëm, nuk e teproi”, ka thënë Sherifi për RTK-në.

Ngjashëm vepron edhe pensionisti tjetër nga Prishtina, Ejup Tahiri, pensionist.

“Nxehtë po e kemi po po duhet me u ruajt. Pa dal s’po kemi qare, po kemi nevoja të ndryshme, po duhet me pushu me u ulë e me pi ujë. Edhe me ecë eci shumë”, ka thënë Tahiri.

Temperaturat e larta që kanë nisur këtë javë në Kosovë, janë të rënda e të mundimshme sidomos për të moshuarit.

“Temperaturat e larta i atakojnë të gjithë, por më të rrezikuar janë të moshuarit, ata me probleme kronike dhe fëmijët. I këshilloj që të mos dalin në kohën kur temperaturat janë të larta sidomos në mesditë. Ushqimi duhet të jetë sa më i lehtë, të konsumojnë sa më shumë ujë”, ka thënë Ajtene Pajaziti, specialiste e mjekësisë familjare.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rekomanduar masat mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit në temperatura të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për ata me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje të tjera kronike.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, mot me diell dhe me temperatura të larta pritet edhe gjatë dy ditëve në vazhdim.

Go to TOP